Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Çlirim Gërbeshi, ka publikuar emrat e gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët, sipas tij, janë intervistuar sot nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Përmes një postimi në Facebook, Gërbeshi ka bërë të ditur se ndaj këtyre zyrtarëve është ngritur edhe kallëzim penal.
Sipas listës së publikuar prej tij, bëhet fjalë për:
Bekim Brestovci – drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit;
Menduh Halili – shef i Sektorit të Ndërtimit;
Blerim Thaçi – inspektor;
Veton Demolli – inspektor;
Lorik Zhubi – inspektor;
Mergim Shala – inspektor.
Gërbeshi ka drejtuar akuza ndaj qeverisjes së Përparim Ramës në Prishtinë, duke e lidhur rastin me mënyrën e qeverisjes komunale.
“Kjo është qeverisja e Përparim Ramës: qeverisja e keqpërdorimit dhe e abuzimit. Kjo është qeverisja e krimit!”, ka shkruar ai.