“E donte kafenë”, vajza e Wisnerit kujton të atin në përurimin e rrugës që mban emrin e tij në Prishtinë

Prishtina

“E donte kafenë”, vajza e Wisnerit kujton të atin në përurimin e rrugës që mban emrin e tij në Prishtinë

Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 14:21
Sabrina Wisner

Për përurimin e rrugës me emrin e tij, fëmijët e të ndjerit Frank G. Wisner, erdhën në Prishtinë për të nderuar kujtimin e babait dhe për të ndarë emocionet e këtij momenti, në vendin për pavarësinë e të cilit ai luajti një rol të rëndësishëm.

E bija Sabrina Wisner ndau në një intervistë për KosovaPress disa detaje të veçantë për diplomatin amerikan dhe raportin që ai kishte me Kosovën.

Kosova ishte shumë e rëndësishme për Wisner

“[Kosova ishte] shumë e rëndësishme [për të]. Kjo ndodhi drejt fundit të karrierës së babait tim dhe ai ishte shumë i përkushtuar që këtu të realizohej diçka e rëndësishme. Ai dëshironte shumë të shihte një të ardhme për njerëzit, prandaj vinte shpesh këtu dhe me familjen ndante shumë kujtime për përparimin dhe mënyrën se si ky vend do të zhvillohej”.

Gjatë vizitave të tij në Kosovë, Wisnerin e përmbushnin shëtitjet dhe takimet me qytetarët, kurse kënaqësi të veçantë gjente edhe në shijimin e kafesë.

Wisner e donte kafenë

“Ai, pa dyshim, e donte ardhjen këtu. I donte njerëzit, udhëtimet dhe të gjithë ata me të cilët kishte mundësi të bisedonte në rrugë. I pëlqente të shëtiste dhe thjesht të dëgjonte rrëfimet e njerëzve. Kjo ishte shumë e rëndësishme për të. Gjithashtu, e donte kafenë. Kjo ishte pjesa më e mirë”.

Wisner besonte fuqishëm në ardhmërinë e Kosovës, teksa e bija e diplomatit, theksoi se i ati do të ishte shumë i kënaqur të shihte se sa ka përparuar vendi.

Si do të ndihej Wisner po të ishte këtu?

“Mendoj se do të qante. Mendoj se do të ishte shumë i emocionuar. Ai besonte shumë në ndërtimin e urave lidhëse dhe në të qenit pjesë e së ardhmes. Jo vetëm të jetuarit në të kaluarën, por gjithmonë të shikuarit përpara, drejt së ardhmes dhe të gjitha ndryshimeve që kanë ndodhur që nga koha kur ai ishte këtu, nga viti 2005 deri më 2009. Mendoj se do të ishte shumë i kënaqur të shihte se sa shumë ka përparuar ky vend dhe se si ju po ndërtoni diçka të mrekullueshme”.

Në fund, Sabrina Wisner me shumë lumturi falënderoi Kosovën që nuk harroi kontributin e tij dhe e përjetësoi kujtimin për të përmes emërtimit të një rruge në lagjen “Arbëria”.

Sabrina Wisner falënderon njerëzit e Prishtinës

“Thjesht, faleminderit. Faleminderit që e vlerësoni kohën dhe përkushtimin e tij. Ne, si familje, besonim në punën e tij dhe ju falënderojmë që edhe ju besuat në të. E vlerësojmë shumë këtë”.

Nga viti 2005 deri më 2008, Wisner shërbeu si i dërguar i posaçëm i SHBA-së dhe përfaqësues i posaçëm i presidentit dhe sekretarit të Shtetit për statusin e Kosovës, gjatë administratës së presidentit George W. Bush.

Në këtë rol, ai punoi së bashku me të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, nga Finlanda, për arritjen e marrëveshjes për statusin përfundimtar të Kosovës, proces që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Wisner vdiq më 24 shkurt, 2025 në Mill Neck, Nju Jork.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat