Prizreni humb gjyqin me çerdhen e Gylenit - Bota Sot
Prizreni humb gjyqin me çerdhen e Gylenit

Prizreni

Prizreni humb gjyqin me çerdhen e Gylenit

Më: 10 janar 2019 Në ora: 22:51
Ilustrim

Komuna e Prizrenit ka humbur kontestin gjyqësor me çerdhen “Yllka”, që është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut turk, Fetullah Gylen.

Komuna e Prizrenit ishte palë e paditur në kontestin civil që po zhvillohej sipas padisë së çerdhes “Yllka”.

Kopshti i fëmijëve kishte paditur Komunën e Prizrenit për pengim në posedimin e hapësirës ku gjendet çerdhja, raporton kallxo.com.

Gjykata Themelore e Prizrenit me aktvendim e ka aprovuar padinë dhe është vërtetuar se Komuna e Prizrenit e ka penguar paditësin në posedim faktik të kopshtit, ashtu që më 20 gusht të vitit 2018, me forcë ka tentuar t’i vendosë drynin dhe të mbyllë kopshtin e fëmijëve ”Yllka”.

Me aktvendimin e saj, Gjykata Themelore e ka detyruar Komunën e Prizrenit, që në të ardhmen të përbahen nga pengimi i tillë apo i ngjashëm.

Sipas padisë që e ka paraqitur ”Pedaks” sh.p.k, e njëjta e ka paditur Komunën e Prizrenit sepse më 2 gusht të vitit 2018, nga kryetari i Komunës së Prizrenit, kanë pranuar njoftim për shkëputjen e kontratës dhe kërkesë për lirimin e objektit, e sipas paditësit Komuna e Prizrenit nuk e ka respektuar kontratën e nënshkruar në vitin 2010.

Komuna e Prizrenit nëpërmjet përfaqësuesit të saj avokat Blerim Mazreku ka kundërshtuar padinë, duke theksuar se me datë 2 gusht të vitit 2018 Komuna i ka dërguar paditëses njoftim për shkëputjen e kontratës. Gjithashtu, Komuna pretendon se kishte kërkuar nga paditësja që ta lirojë objektin e kopshtit brenda 16 ditësh.

Përfaqësuesi i Komunës pretendonte se qëllimi i vetëm i padisë ishte që të diskreditohet kryetari i Komunës.

Sipas këtij vendimi të Gjykatës, tashmë kopshti “Yllka” do të vazhdojë posedimin dhe shfrytëzimin e hapësirës pa pengesa nga ana e Komunës së Prizrenit.

Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit ka paralajmëruar që do të paraqes ankesë ndaj këtij vendimi të Gjykatës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...