Revitalizimi i rrugës “Marin Barleti” në Prizren pritet t’i hapë rrugë investimeve - Bota Sot
Revitalizimi i rrugës “Marin Barleti” në Prizren pritet t’i hapë rrugë investimeve

Prizreni

Revitalizimi i rrugës “Marin Barleti” në Prizren pritet t’i hapë rrugë investimeve

Më: 17 prill 2019 Në ora: 14:36
Sot u prezantua projekti “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”

Sot u prezantua projekti “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”. Ky projekt, që është iniciuar që nga viti 2017, është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata “EC Ma Ndryshe”.

Rruga “Marin Barleti” gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit dhe ndanë qendrën e qytetit me zonën e banimit. Kjo rrugë përmban vlera të rëndësishme kulturore dhe e veçanta e saj është kompleksi arkitektonik në varg, por i cili është shumë i dëmtuar në aspektin fizik.

Në këtë prezantim që u mbajt në Doku Kino mori pjesë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, zv.udhëheqësi për bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Libor Chlad dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi deklaroi se ky është një nga projektet më të mëdha të fushës së trashëgimisë kulturore në Prizren. Ai tha se kishte ardhur koha që të veprohej në realizimin e këtij projekti i cili sipas tij nuk do të jetë i fundit për Qendrën Historike të Prizrenit pasi do të vijojë ta mbështesë atë në aspektin ligjor, profesional dhe buxhetor.

Gashi: Ky projekt, një ndër më të mëdhatë në fushën e trashëgimisë

“Ne do të jemi të vendosur që edhe me buxhet të Ministrisë së Kulturës të fillojmë në realizimin e këtij projekti sepse siç e dini kemi një fond të përcaktuar për Qendrën Historike të Prizrenit dhe viti 2019 është vit konkret i fillimit të realizimit të projektit në rrugën ‘Marin Barleti’[...]8:20 Jam jashtëzakonisht i lumtur por edhe i bindur që sot është hapi i parë i realizimit të këtij projekti që do të jetë një prej projekteve më të mëdha në fushën e trashëgimisë kulturore, por natyrisht edhe më i bukuri i cili do ta kthejë një identitet të ri qytetit të Prizrenit, të pjesës historike të Prizrenit, është e vërtetë se shumëçka dhe shpesh flitet për qendrën historike por janë momentet dhe koha që bashkërisht të veprojmë”, deklaroi Gashi.

Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, në fjalën e tij tha se ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por mund të vendosim se si mund të duket e ardhmja. Ai tha se institucionet lokale, qendrore dhe ato ndërkombëtare janë bashkuar në këtë projekt që synon të riparojë dëmet e së kaluarës.

O’Connell: Duke kujtuar të kaluarën të ndërtojmë të ardhmen

“Me këtë projekt, duke rikujtuar të kaluarën kemi vendosur për të rindërtuar një të ardhme më të ndritshme. [...] 16:17 Me projektin e rrugës ‘Marin Marleti’ ju keni zgjedhur për të rikujtuar atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por gjithashtu për të rindërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë. Shpresoj se ky projekt të shërbejë si shembull për të gjithë të pranojmë krejt se çfarë ka ndodhur në të kaluarën edhe duhet të zotohemi për një të ardhme më të ndritshme”, u shpreh ambasadori O’Connell.

Ndërsa, zv.udhëheqësi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian, Libor Chlad, lavdëroi bashkëpunimin e institucioneve dhe të atë të zyrës që përfaqëson me shoqërinë civile. Ai tha se këto bashkëpunime kanë sjellë shumë fryte në fushën e kulturës edhe në të kaluarën në Prizren, ndërsa uroi që ngjashëm të ndodhë edhe kësaj here.

I lumtur për projektin “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’” u shpreh dhe kreu i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. Ai deklaroi se Prizreni dallohet pikërisht për trashëgiminë kulturore, jo vetëm në aspektin e objekteve, por edhe në atë shpirtëror.

Haskuka: Prizreni njihet për trashëgiminë kulturore

“Është me të vërtetë një projekt i qëlluar për Prizrenin ngaqë gjëja që dallon Prizrenin është pikërisht trashëgimia kulturore. Por, kur themi trashëgimia kulturore, jo vetëm në aspektin e objekteve, por edhe trashëgimia kulturore në aspektin shpirtëror. [..] Në Prizren kur ulemi në një kafiteri dëgjojmë njerëzit që flasin në tre gjuhë në të njëjtën kohë duke biseduar më njëri-tjetrin, kur e kthejmë kokën i shohim tri objekte të ndryshme religjioze dhe mund të dalim në një fotografi bashkë me xhaminë, kishën katolike dhe ortodokse që e bën Prizrenin atë që është. Pa e pasur këtë trashëgimi kulturore nuk do të kishim këtë bashkëjetesë”, tha Haskuka.

Projekti “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren” është financuar nga Ministria e Kulturës, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit.

Projekti do të ndikojë në krijimin e kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal në të gjithë Qendrën Historike të Prizrenit. Ai është i ndarë në dy komponentë, atë të konservimit dhe të zhvillimit, ndërsa u tha se do t’i hapë rrugë investimeve të reja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...