Ipeshkvia e Kosovës reagon për gjendjen e krijuar në Gjimnazin “Loyola” - Bota Sot
Ipeshkvia e Kosovës reagon për gjendjen e krijuar në Gjimnazin “Loyola”

Prizreni

Ipeshkvia e Kosovës reagon për gjendjen e krijuar në Gjimnazin “Loyola”

Më: 26 prill 2019 Në ora: 23:41
Gjimnazi “Loyola”

Ipeshkvia e Kosovës ka reaguar ndaj gjendjen së krijuar në Gjimnazin “Loyola” në Prizren, ku thekson se situata e krijuar në ketë shkollë, ka ndikuar që “Loyola” të bëhet objekt i mosbesimit, pasigurisë, përçarjes dhe lakmisë së personave të caktuar.

“Gjithë kjo ka ndikuar që, çështja “Loyola”, të bëhet objekt i mosbesimit, pasigurisë, përçarjes dhe lakmisë së personave të caktuar. Ndaj, Ipeshkvia e Kosovës (Prizren – Prishtinë), si anëtare i këtij bordi, promotore dhe mbështetëse e pareshtur e këtij tempulli të dijes, Ju kërkon ndjesë stafit mësimdhënës, bashkëpunëtorëve/reve të tjerë në Shkollë, nxënësve dhe prindërve të tyre, donatorëve dhe institucioneve  përkatëse, për situatën e krijuar në Gjimnazin Loyola”, thotë Ipeshkvia.

Deklarata e plotë e Ipeshkvisë:

Ipeshkvia Prizren–Prishtinë (Kisha Katolike në Kosovë) nëpërmjet donatorëve dhe Etërve Jezuitë, si bashkëpromotore e institucionit arsimor Gjimnazi Loyola në Prizren, që nga paslufta e Kosovës (’99),  ka dashur  të bashkëndajë këtë përgjegjësi edhe me institucione dhe organizata tjera, duke themeluar Asociation Loyola-Gymnasium (ALG), si bartës të përgjegjësive për Shkollën Loyola.

Në prag të festimit 14-vjetorit të kësaj shkolle, saktësisht më 12 prill 2019,  është mbajtur edhe mbledhja e radhës së Bordit të ALG-së. Mjerisht, kësaj radhe takimi i Bordit, nuk ngjante në një takim normal ku duhej të përballeshin argumentet dhe të harmonizoheshin qëndrimet para marrjes së vendimeve. Ndodhi që, shumica e thjeshtë,  ishte grupuar dhe vendimet ishin marrë krejt diku tjetër paraprakisht, para fillimit të mbledhjes së Bordit. 

Këndej, për hir të së vërtetës, e pamë të arsyeshme të lëshohet kjo deklaratë si vijon më poshtë:

-         Bordi i  ALG-së “Loyola” në Prizren, datë 12 prill të k.v., shkarkoi nga posti i Drejtorit Gjeneral, me efekt të menjëhershëm dhe pa arsyetim të përshtatshëm, të saktë ose bindës, Dr. Atë Axel Bödefeld, përmes votimit.

-         Pas votës së mosbesimit ndaj Drejtorit, Etërit Jezuitë (Provinca gjermane, austriake dhe kroate), si anëtarë të bordit dhe udhëheqës të këtij institucioni, në shenjë revolte dhe mospajtimi kanë dhënë dorëheqje nga bordi i ALG-së dhe janë tërhequr tërësisht nga përgjegjësitë që kanë patur për Gjimnazin Loyola.   

-         Përpjekjet tona, si anëtarë të këtij Bordi, për t’i përafruar qëndrimet mes palëve ishin të pafrytshme, pasi që strategjia e mbivotimit ishte planifikuar më parë. Gjë që ishte krejt e huaj për Asociation Loyola-Gymnasium dhe për ne. 

Mbështetur në ftohtësinë e votës, janë marrë vendime që ndryshojnë në thelb cilësinë dhe objektivat fillestare të themeluesve të kësaj Shkolle dhe përulin punën dhe flijimin e Etërve jezuitë.

Gjithë kjo ka ndikuar që, çështja “Loyola”, të bëhet objekt i mosbesimit, pasigurisë, përçarjes dhe lakmisë së personave të caktuar. Ndaj, Ipeshkvia e Kosovës (Prizren – Prishtinë), si anëtare i këtij bordi, promotore dhe mbështetëse e pareshtur e këtij tempulli të dijes, Ju kërkon ndjesë stafit mësimdhënës, bashkëpunëtorëve/reve të tjerë në Shkollë, nxënësve dhe prindërve të tyre, donatorëve dhe institucioneve  përkatëse, për situatën e krijuar në Gjimnazin Loyola.

Njëkohësisht, apelojmë edhe njëherë, te pjesa aktuale e bordit, që të reflektojë sa më parë dhe urgjentisht të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e bordit, në mënyrë që të  rishqyrtojë votën e mosbesimit ndaj Drejtorit Gjeneral dhe të kërkojë rikthimin  e Etërve Jezuitët në shkollë.

Nëse nuk reagohet siç u tha më lartë, Ipeshkvia nuk do të mbajë kurrfarë përgjegjësie ndaj nxënësve, prindërve që na kanë besuar si dhe ndaj institucioneve dhe organizatave për të ardhmen. Për këtë arsye do të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike që janë në dispozicion për ta rikthyer shkollën në binaret e djeshme.

Dr. Shan Zefi

Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...