Selmanaj përballë Qunit: Në garën për kryetar të LDK-së në Prizren kam hyrë për të fituar

Prizreni

Selmanaj përballë Qunit: Në garën për kryetar të LDK-së në Prizren kam hyrë për të fituar

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 19:13
Driton Selmanaj dhe Anton Quni

Nesër në degën e LDK-së në Prizren do të mbahet Kuvendi Zgjedhor, ku nga ky Kuvend do të dalin strukturat e reja dhe kryetari i ri i degës.

Gara në këtë degë pritet të jetë e fortë duke marr parasysh se për kryetarin e kësaj dege kandidojnë janë dy figura të rëndësishme të LDK-së, dhe ndër më të votuarit e kësaj partie, deputetët Anton Quni dhe Driton Selmanaj.

Driton Selmanaj, ka thënë se, vetë pjesëmarrja në këtë garë e dy deputetëve të cilët janë ndër më të votuarit e LDK-së, është për t’u vlerësuar lartë.

“E para, vet hyrja në këtë garë duhet vlerësuar nga secili, dhe e dyta unë kam thënë me fillim që kam qenë i nderuar dhe jam i nderuar që kundërkandidat i imi është z.Quni, për respektin e madh që kam për angazhimin e tij në të kaluaren, për personalitetin e tij që ka”, thotë Selmanaj.

Deputeti Selmanaj, theksoi se secili hyn në garë me bindjen se do të fitoj. “Ne kemi punuar mjaft shumë, por vendimi i takon delegatëve të Kuvendit Zgjedhor. Ne jemi në garë, nesër është dita e fundit, është dita kur mbahet Kuvendi dhe besoj që secili që hyn në garë, hyn me bindjen se do të fitojë dhe nuk e besoj se dikush hyn në garë për të humbur. Ne kemi punu mjaft shumë, por tash është në vullnetin dhe dorën e delegatëve që cili nga ne të dy e meritojmë ta udhëheqim degën e LDK-së në Prizren për katër vitet e ardhshme”, tha deputeti Selmanaj për Ballkanin.

Selmanaj tutje thekson se është i gatshëm të pranojë çfarëdo rezultati që del nga ky Kuvend, por shton se pret fitore. “Ne me z.Quni nuk kemi probleme, ne kemi problem me keq-qeverisjen në qytetin e Prizrenit. Unë e respektoj çdo vullnet të shprehur përmes votës së delegatëve në Kuvendin e nesërm, kjo është demokracia e brendshme e LDK-së dhe kushdo që do të fitoj mendoj se LDK do të del edhe më e fortë. Nëse unë e humbi garën do të jem pranë z.Quni, nëse unë fitoj ai do të jetë pranë meje besoj, sepse ne nuk kemi problem me njëri tjetrin por me keq-qeverisjen në Prizren dhe në nivel nacional. Ne në LDK po bëjmë garë idesh, garë platformash e programesh”, vlerëson ai.

Në lidhjet me problemet që po ndodhin në disa nga Kuvendet Zgjedhore të LDK-së, Selmanaj mohon se mund të ndodh edhe në degën e Prizrenit. Ai thptë se këto incidente në disa degë të LDK-së po ndodhin për shkak se dikush është duke ndërhyrë nga jashtë LDK-së.

“Nuk ka asnjë arsye që të ndodh nesër. Gara në Prizren ka qenë ndër garat më simpatike besoj unë, më demokratike, me z.Quni kemi shku bashkë nëpër tubime”, ka thënë ai në fund. Kuvendi Zgjedhor i degës së LDK-së në Prizren fillon nesër në orën 17 dhe aty do të marrin pjesë 101 delegatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat