Komuna e Prizrenit akuzohet se nuk respekton dispozitat e Ligjit për qasje në dokumente publike - Bota Sot
Komuna e Prizrenit akuzohet se nuk respekton dispozitat e Ligjit për qasje në dokumente publike

Prizreni

Komuna e Prizrenit akuzohet se nuk respekton dispozitat e Ligjit për qasje në dokumente publike

Më: 14 tetor 2019 Në ora: 10:28
Foto ilustrim

Organizata Ec Ma Ndryshe, përmes një komunikate për media, akuzoi qeverinë komunale të Prizrenit se nuk është duke i respektuar dispozitat ligjore për qasje në dokumente publike lidhur me emërimin, përkatësisht zëvendësimin, e një anëtari të Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve të OJQ-ve për mbështetje financiare publike sipas thirrjes publike nga fushat e turizmit dhe zhvillimit ekonomik në Komunën e Prizrenit për vitin 2019.

EC Ma Ndryshe nga fundi i muajit korrik ka kërkuar nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik vendimin për zëvendësimin e një anëtari të këtij Komisioni, me saktësisht të drejtorit ekzekutiv të EC-it.

Drejtoresha e Turizmit fillimisht ka pohuar se përgjigjet ndaj kësaj kërkese do t’i ofrojë pas kthimit nga pushimi, ndërkohë që më pas ka sugjeruar që kërkesa të adresohet në Drejtori.

EC Ma Ndryshe thotë se më 3 shtator 2019 ka adresuar kërkesën për qasje në dokumente publike në DTZHE. Pas kësaj kërkese, drejtoresha e DTZHE-së, Sevil Kazaz përmes një përgjigjeje të ofruar më 6 shtator 2019 ka kërkuar nga EC-i që t'i drejtohet organeve kompetente, të cilët kanë lëshuar vendimin, pa dhënë asnjë sqarim shtesë orientues, siç obligon legjislacioni në fuqi për qasje në dokumente publike.

Më 12 shtator 2019, kërkesa e njëjtë nga ana e EC-it i është adresuar Zyrës së Kryetarit të Komunës së Prizrenit, ku edhe kjo e fundit nuk ka ofruar përgjigje përkatësisht nuk ka lejuar qasjen në dokumentin publik.

EC Ma Ndryshe përkujton se parimet e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike përkufizojnë se e drejta për qasje në dokumente publike e secilit person, si dhe garantimi dhe përmbushja e kësaj të drejte nga ana e institucioneve publike përbën një prej themeleve të institucioneve demokratike dhe transparente.

Gjithnjë sipas këtij ligji, sipas organizatës, hapja e të dhënave dhe transparenca në sektorin publik shërben për llogaridhënie ndaj publikut, për zhvillimin dhe avancimin shoqëror, ekonomik dhe demokratik.

“Parimet e sipërpërmendura janë injoruar nga drejtoresha e DTZHE-së, Sevil Kazaz dhe Zyra e Kryetarit të Komunës së Prizrenit në raport me kërkesën e EC Ma Ndryshe”, thuhet në komunikatë.

EC konsideron se kjo praktikë e mos ofrimit të qasjes në dokumentin publik përmes zvarritjeve të panevojshme bie ndesh me zotimet e Qeverisë komunale të Prizrenit për transparencë radikale dhe shkel standardet e llogaridhënies ndaj publikut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat