27 raste me COVID 19 në Prizren, 14 të tjerë janë testuar sot

Prizreni

27 raste me COVID 19 në Prizren, 14 të tjerë janë testuar sot

Më: 17 prill 2020 Në ora: 17:06
Prizren

14 persona nga Prizreni janë testuar sot për të parë nëse janë infektuar me COVID-19. Deri tani në këtë komunë janë konfirmuar 27 raste. Për gjendjen e të infektuarve ka folur Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.

Shehu ka thënë se gjendja e të infektuarve është e mirë, me përjashtim të një prej të infektuarve i cili po trajtohet në Klinikën Infektive që vepron në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Ai ka treguar se sot mostrat u janë marrë 14 qytetarëve, të cilët kanë qenë në kontakt me të infektuarit.

“Sot janë testu 14 raste nga Prizreni dhe në mbrëmje pritet me dal rezultatet. Raste të konfirmuara në Prizren janë 27, dy prej tyre janë shëru, sepse edhe një mbrëmë në testime ka dal negative që i bie që është shëruar dhe një viktimë, pra 24 raste aktive janë. Dy prej të infektuarve janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK dhe njërit i është përkeqësuar gjendja, meqenëse ka edhe probleme të tjera shëndetësore, derisa gjendja e të infektuarve të tjerë është e mirë”, ka thënë Shehu.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 26 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 449 me 12 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Suhareka, Prishtina, Gjilani, Lipjani, Vitia, Leposaviqi, Kamenica, Vushtrria dhe Podujeva.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat