AAK: Haskuka do të shkojë, por do të mbetet turpi që e lë pas vetes

Prizreni

AAK: Haskuka do të shkojë, por do të mbetet turpi që e lë pas vetes

Më: 15 prill 2021 Në ora: 14:59
AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas mbylljen e zyrës së AAK-së në Prizren.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, AAK  ka theksuar se pushteti i Haskukës mbyll zyrën e Aleancës në Prizren!

“Në mënyrë arbitrare, pa prezantuar fletë poseduese, Aleanca u dëbua nga zyrat në Prizren. Në këtë mënyrë pushteti i Haskukës, që është në muajt e fundit të tij, po provon që me represale të ndalojë zërin e opozitës”,  thuhet në njoftimin e AAK-së.

Më pas, thuhet se “kjo mënyrë e sjelljes së kryetarit të komunës, që ngjason me metodat moniste, assesi nuk do ta tremb Aleancën që të paraqes realitetin e qeverisjes së VV-së me Prizrenin, e që kryefjala e saj është: Dështim i plotë”.

“Duke qenë se Aleanca respekton institucionet, edhe pse të njëjtat nuk kanë ofruar dokumentacion të mjaftueshëm, ne kemi lëshuar zyrat, ndërsa shumë shpejt do të vendosemi në hapësira të tjera”, thuhet tutje, duke shtuar se AAK-ja do të ankohet për këtë veprim arbitrar, sepse janë të bindur që drejtësia është në anën e tyre.

“Haskuka do të shkojë, por do të mbetet turpi që e lë pas vetes”, thekson AAK-ja.

Në anën tjetër, Ilir Baldedaj, shef i Grupit të asambleistëve të Aleancës në KK Prizren, është shprehur se këto zyre nuk janë pronë e Komunës, por që e kanë respektuar vendimin.

“Kjo nuk është pronë  e komunës, por ne e kemi respektuar vendimin dhe e kemi liruar zyrën. Për procedurat tjera do të shihemi në gjykatë”, tha Baldedaj, duke theksuar se kanë tentuar të kenë një marrëveshje me Komunën, por se ky ka qenë një vendim i prerë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat