Komuna e Prizrenit ka njoftuar se përmes Drejtorisë së Arsimit ka mbajtur të premten konferencën përmbyllëse të projektit “Avancimi i cilësisë së arsimit në Komunën e Prizrenit”.
Në këtë aktivitet janë prezantuar edhe rezultatet e Raportit të Vlerësimit Rapid, në institucionet edukative dhe arsimore të Komunës së Prizrenit, të realizuar nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit.
“Ky projekt synon të forcojë kërkimin e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në institucionet arsimore, duke nxjerrë përfundime të bazuara në të dhëna shkencore dhe duke e përafruar arsimin me nevojat dhe sfidat e shekullit XXI”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj – Gutaj ka shprehur qëndrimin se ky dikaster komunal angazhohet për ngritjen e cilësisë së arsimit në Komunën e Prizrenit, dhe se falë bashkëpunimit të QAPA-s dhe drejtuesve të shkollave është arritur avancimi në këtë aspekt.
“Bashkëpunimi i ndërsjellë ka mundësuar vlerësimin rapid për ta skanuar gjendjen, të cilën e kemi në shkollat tona në Prizren dhe për ti parë mundësitë e avancimit gradual në cilësi dhe nevojat tjera të tyre”, është shprehur Veselaj – Gutaj.
Në konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të shkollave, ekspertë të arsimit dhe zyrtarë komunalë, të cilët kanë diskutuar lidhur me hapat e ardhshëm drejt një sistemi arsimor më cilësor dhe gjithëpërfshirës.