Prokuroria dhe Policia koordinohen për punë më efikase në rajonin e Prizrenit

Prizreni

Prokuroria dhe Policia koordinohen për punë më efikase në rajonin e Prizrenit

Më: 29 maj 2025 Në ora: 17:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, të enjten ka organizuar takim me Policinë rajonale të Prizrenit, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së efikasitetit në veprimet e përbashkëta ndërinstitucionale.

Në këtë takim, sipas njoftimit, kanë marrë pjesë Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren kolonel Faton Alija, komandantët e stacioneve policore në Prizren, Suharekë, Dragash dhe Mamushë, shefat e hetimeve, udhëheqësit e njësive të specializuara, si dhe prokurorët.

“Në fokus të takimit ishin shkëmbimi i informacionit, koordinimi në fazat e hetimit, si dhe përmirësimi i procedurave të përbashkëta që ndihmojnë në luftën kundër kriminalitetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje theksohet se kryeprokurori Kryeziu ka theksuar rëndësinë e komunikimit të hapur, profesional dhe në kohë mes institucioneve, si faktor kyç për rritjen e besimit publik dhe funksionimin efikas të drejtësisë.

Ai, gjithashtu ka përmendur sfidat me të cilat ballafaqohet Prokuroria në baza ditore për trajtimin e veprave penale të ndryshme, duke adresuar çështje për përmirësim gjatë veprimeve hetimore të policisë, por pa lënë anash edhe adresimin e vetë kritikave.

Ndërkaq, Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren kolonel Faton Alija, duke vlerësuar mbështetjen dhe bashkëpunimin me Prokurorinë e Prizrenit ka shprehur gatishmërinë “për bashkërendim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet operative”.

Në takim janë diskutuar hapat konkretë që synojnë harmonizimin e veprimeve mes Prokurorisë dhe Policisë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së hetimeve dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Takimi u konsiderua produktiv nga pjesëmarrësit, të cilët theksuan nevojën për vazhdimin e kësaj qasjeje bashkëpunuese për të garantuar që puna e këtyre institucioneve, përkatësisht e sistemit të drejtësisë të funksionojë në mënyrë transparente dhe në përputhje me standardet më të larta ligjore”, përfundon njoftimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat