Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se qyteti i Prizrenit duhet të pajiset edhe me një zonë të vet industriale, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.
Në ceremoninë e fillimeve të ndërtimit të rrugës Korishë – Kabash, Kurti theksoi se Prizreni, si qyteti i dytë për nga madhësia në Kosovë, meriton të ketë një hapësirë të dedikuar për zhvillimin e bizneseve dhe industrisë, në përputhje me kontributin dhe potencialin që ka.
Kurti: Është e nevojshme që Prizreni ta ketë edhe Prizreni zonën industriale
“Nuk ka kurrfarë kuptimi që të kemi kaq shumë zona industriale në aq shumë komuna të Kosovës, që sa vijnë e shtohen, e Prizreni të mbetet pa një të tillë. Nuk mjafton Parku i Trajnimeve dhe Inovacionit, i cili dikur ka qenë zonë e KFOR-it gjerman, tash është e nevojshme që ta ketë edhe Prizreni zonën industrial”, deklaroi ai.
Sipas tij, mungesa e një zone të tillë bie në kontrast me faktin se shumë komuna të tjera në Kosovë tashmë kanë zona industriale që po vazhdojnë të shtohen.
Kurti: Qytetarët duhet të bëjnë trysni te Komuna e Prizrenit për një zonë industriale
“Besoj që ky është një argument shtesë për të gjithë qytetarët që të bëjnë trysni te Komuna e Prizrenit dhe të mundësohet bashkëpunimi me Qeverinë e Republikës për një zonë të tillë industriale”, tha ai
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka vullnetin, gatishmërinë edhe interesimin, mirëpo presin që këto t'i ketë edhe Komuna e Prizrenit.
Ndërkaq sot nisën ndërtimet e rrugës Korishë – Kabash në Prizren ku këto ndërtime filluan me një ceremoni ku të pranishëm ishin Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.