Në fshatin Muzheçk të Trieshit jeton vetëm një familje

Reportazhe

Në fshatin Muzheçk të Trieshit jeton vetëm një familje

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 10 tetor 2019 Në ora: 22:50
Muzheçk

Fshatrat shqiptare në Mal të Zi dita ditës po zbrazen gjithnjë e më shumë. Ato pothuaj kanë mbetur në mëshirën e fatit sepse mungon përkujdesja institucionale që shqiptarët të mund të jetojnë me dinjitet dhe me kushte elementare të jetesës në trojet e veta etnike. Kushtet e rënda ekonomike janë faktori kryesor , por edhe shumë të tjerë, që kanë ndikuar që shumica e shqiptarëve të lëshojnë shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të mirë. Apo siç thotë populli ynë për një kafshatë bukë goje , mbase askush nuk ik prej së mirës por prej të keqes. Fshatra të tilla shqiptare të baraktisura për fat të keq ka shumë. Në mesin e tyre bën pjesë edhe Muzheçku i Trieshit, një vendbanim i vogël malor i Komunës së Tuzit, 20 kilometra nga Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi. Deri atje shkohet rrugës pjesërisht të asfaltuar, me shumë kthesa. Po të hyjë njeriu për herë të parë në këtë fshat, do të jetë i fascinuar ( mrekulluar) me një peisazh të mahnitshëm. Por gjithë kjo bukuri natyrore, ndonëse ia dinin vlerën, nuk mjaftoi që banorët e këtij fshati të vazhdojnë të jetojnë këtu. Gati të gjithë banorët u shpërngulën me mendimin se jashtë vendlindjes do t’i presë “mrekullia”, por me dëshirën e madhe që një ditë përsëri do të kthehen. Muzheshjani i parë që i la vatrat e tyre strëgjyshorë dhe përqafoi kontinentin ( tokën) e panjohur të Australisë në vitin 1958 ishte Pjetër ( Tush) Prëla Nikollaj.

Muzheçku para katër dekadash kishte dhjetë shtëpi të banuara, me afro 95 banorë, të cilat i mbaj mend edhe unë. Familja më e vogël ishte 5- anëtarëshe, ndërsa më e madhe 15- anëtarëshe. Jetesa mes tri vëllazërive Gjokaj, Gjolaj dhe Nikollaj nuk ishte e lehtë. Tokë buke, apo gropëza siç i quanin vendasit, ku mbjellnin kryesisht patate, lakra qepë e kallamboq kishte pak. Nuk kishte rrugë të asfaltuar. As ujë për pije. As korrent elektrik. As shumëçka tjetër për një jetë pa shumë halle e brenga. Blektoria dhe bujqësia ishin veprimtaritë e vetme ekonomike. Megjithatë vitet e skamjes banorët e këtushëm i mbajnë mend edhe për të mirë. Ajo që i mbante gjallë këta banorë gjithsesi ishte bashkëjetesa, harmonia, marrëveshja, respekti , dashuria e sinqertë dhe puna e përbashkët. Këto dhe virtyte të tjera të këtyre banorëve i bënin ata të fortë, qëndrestarë, , besnik, fisnik , mikpritës e të ndershëm. Me një fjalë ishin njerëz ( burra, gra, fëmijë e pleq ) të mirë. Dhe, kjo ishte një vlerë, apo medalja më e lartë dhe më e rëndësishme e tyre e trashëguar me shekuj e cila mbijetoi bashkë me malet përreth . Kushdo që ka shtegtuar apo ka qëndruar këtu madje edhe disa orë i kanë vlerësuar banorët e këtushëm , doket dhe zakonet e tyre, që janë vlera të padiskutueshme që pak kush i ka, siç i kanë shqiptarët në përgjithësi.

Migrimi dhe emigrimi këtu dallon nga fshtatrat e tjera të Trieshit. Banorët nga aty më shumë u larguan pas viteve ‘90-të, duke i lënë shtëpitë bosh dhe arat djerrinë. Bukuritë natyrore të këtij fshati tash 20 vite po i gëzojnë vetëm pesë banorë të mbetur, familja e Nikollë Gjergjit Nikollaj. Të tjerët kanë shkuar në Amerikë, Australi, Gjermani dhe Tuz.

Image

Nikolla me bashkëshorten Dritën, djemtë Kolën 17 vjeç e Robertin 13 vjeç dhe vajzën Teutën 15 vjeç janë banorët e vetëm të këtij fshati malor, të cilët jetojnë të vetmuar në shtëpinë e bukur dykatëshe të ndërtuar prej guri në qendër të fshatit, e cila dikur numëronte 15 anëtarë. Ai edhe pse si fëmjë ishte mësuar që familja e tij të kishte shumë miq, fqinj , të shkëmbehen me njerëz në rrugë e të jetojnë pranë familjarëve të vet, tani dikush ka preferuar të jetë kryefamiljari i vetëm i shtëpisë së njohur të Kolë Dedë Nikollajt për norma të qëndrueshme morale e shoqërore , të cilat nuk u braktisën asnjëherë deri më tani, por përkundrazi po shtohen dhe vazhdohen nga brezi në brez.

“Në këtë fshat nuk jeton askush tjetër përveç familjes sime. Djali i madh dhe vajza ndjekin mësimin në gjimnazin e Tuzit. Ata çdo ditë udhëtojnë për në Tuz dhe anasjelltas me fugonin që ua ka siguruar falas Ministria e Arsimit të Malit të Zi. Ndërka, djali i vogël është në klasën e tetë të shkollës nëntëvjeçare në Stjepoh-Triesh. Jeta vetëm nuk është e lehtë. Nuk ndihet kurrfarë gjallërie. S’ka zhurmë të njerëzve siç ishte përpara. Tani s’ka lojëra fëmijësh. Nuk ka as dasma, as kope dhënësh. Ndodh shpesh që në fshat për dy javë nuk takoj njeri përveç anëtarëve të familjes. Më duket sikur po na ha mali.” thotë Nikolla. Shton se tani cilësia e jetesës është përmirësuar, mirëpo njerëzit janë larguar, e nuk e di se kur do të kthehen. Ka frikë se edhe përkundër përmirësimit të pjesshëm të jetesës që ka pësuar Muzheçku , ai është buzë mbetjes pa asnjë banor, për shkak të mospasjes së infrastrukturës bazë dhe mundësive për punësim. pasojë e mungesësë së perspektivës për banorët e tij. E këtyre banorëve u duhet uji i pijshëm, rruga e asfaltuar, transporti i organizuar, vendet e punës.

Këtë fshat, sikurse të gjithë të tjerët, mund ta shpëtojnë nga zbrazja vetëm autoritetet vendore dhe qëndrore përmes vëndosjes së sistemit për zhvillimin rajonal të barabartë, ku shteti do të investojnë në mjediset rurale dhe jo vetëm në krejt hapësirën gjeografike të Malit të Zi. Pra, pushteti komunal dhe qeveria republikane duhet të interesohen që këtë fshat të bukur , dhe jo vetëm ta rikthejnë në jetë. Në këtë rrugë institucionet vendore e qendrore (shteti) do të ndihmohen nga mërgimtarët e fshatit. Ata, siç na thanë, janë të gatshëm gjithmonë të investojnë në vendlindjen e tyre. Duan me gjithë mendje e shpirt ta ndryshojnë Muzheçkun. Ta bëjnë më të bukur e më me ardhmëri. Me shtëpi të reja. Me ujë të pijshëm. Me rrugë e rrugica të zbukuruara, të asfaltuara e të ndriçuara, ku të rinjtë të kenë mundësi të punësohen e të jetojnë nga djersa e mundi i tyre. Mërgimtarët e Muzheçkut me paratë e tyre në rrënojat e shtëpive stërgjyshore kanë filluar ndërtimin e shtëpiave të reja, sanimin apo meremetimin e shtëpiave të vjetra, rregullimin e Kronit të Qavzës, shtrimin me zhavor të rrugicave të fshatit, ndërtimin e prijave të reja prej guri dhe pastrimin e lamës në qendër të fshatit. Të gjitha këto e investime tjera të përbashkëta të këtyre mërgimtarëve, që shpeshë verës e vizitojnë vendin e të parëve, i kanë dhënë edhe më shumë hijeshi fshatit, të cilin vazhdon ta mbysë heshtja bashkë me familjen e vetme Nikollaj.

Është ky një shembull i mirë i bamirësisë, i dashurisë, pasionit e misionit të shenjtë të këtyre mrëgimtarëve kompakt, që shkojnë shumë mirë me njëri tjetrin, sikur të ishin familjarizuar , për rregullimin dhe përparimin e vendlindjes së tyre që e mbajnë përherë në zemër. Mbështetja e tyre për vendlindjen thonë nuk do të mungojë kurrë. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe. Kur atje kanë lindur, janë rritur dhe brumosur me tharmin shqiptar. Edhe fëmijët e vet i mësojnë që ta duan vendin e tyre të origjinës, ashtu siç duan ata për të mos harruar nga i kanë rrënjët. Ata e duan vendlindjen dhe s’duan që fëmijët e tyre të mos e duan atë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat