Gjermani, aplikacion për gjurmimin e Covid-19

Shkencë & Teknologji

Gjermani, aplikacion për gjurmimin e Covid-19

Më: 4 prill 2020 Në ora: 07:17
Ilustrim

Mbrojtja e të dhënave personale është një temë delikate në Gjermaninë që e do shumë privatësinë, por vendi, po merr sidoqoftë në konsideratë përdorimin e një aplikacioni në smartfon për të ndihmuar në menaxhimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Edhe vetë kancelarja Merkel, që shpesh i referohet rinisë së saj në Gjermaninë lindore komuniste, ku mbikqyrja ishte e kudondodhur, tha të mërkurën se nëse do të rezultonte që kjo do të ishte një mënyrë efikase për gjurmimin e përhapjes së virusit, ajo sigurisht që do ta përdorte edhe vetë. Në një farë mënyre, Gjermania duket se po e përballon më mirë se shumë fqinjë të saj evropianë, përballjen me koronavirusin.

Ekonomia më e madhe në Evropë, deri më tani, ka mundur ta kufizojë numrin e viktimave të Covid-19, nën 1000, pjesërisht falë testimit agresiv sipas shembullit të Koresë së Jugut. Ajo ka evituar edhe një izolim të rreptë, si ata në Francë, Itali apo Spanjë. Merkel dhe qeveria e saj janë të gatshëm të kalojnë tani në fazën e radhës, kur ata shpresojnë se do të munden të zbusin rregullat e distancimit social dhe të rihapin disa hapsira publike.

Sipas ministrit të shëndetësisë, Jens Spahn, për ta bërë këtë duhet që të jenë së pari në gjendje të arrijnë këdo që ka patur kontakte me një person të infektuar, shumë shpejt. Kur qeveria propozoi së pari përdorimin e këtij aplikacioni, në mes të marsit, u detyrua të bënte hapa prapa, pas kritikave publike. Sipas propozimeve, operatorët e telefonave celularë, do të duhet të dorëzonin të dhënat e 46 milionë klientëve që të ndihmonin autoritetet të gjurmonin kontaktet e personave të infektuar.

Por tani, qeveria po i rikthehet propozimit dhe do të dalë me një plan të ri dhe sipas ministrit Spahn, përdorimi i të dhënave telefonike do të jetë një faktor kyç në luftën kundër përhapjes së virusit. Aplikacioni gjurmon dhe regjistron ndërveprimet e njerëzve përmes bluetooth-it për dy javë, pa përdorur gjurmimin e gjeolokalizimit dhe me premtimin se të dhënat do të jenë të sigurta e të mbrojtura.

Nëse një person infektohet, aplikacioni dërgon automatikisht një njoftim tek kushdo që është shkëmbyer në rrugë me të, dy javët e shkuara, për ti paralajmëruar për rrezikun e infeksionit. Por vetëm ata që e kanë shkarkuar aplikacionin do të marrin njoftime dhe identiteti i njerëzve do të mbahet sekret.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat