Si ta shpëtojmë demokracinë nga teknologjia

Shkencë & Teknologji

Si ta shpëtojmë demokracinë nga teknologjia

Nga: Francis Fukuyama, Katharine T.Bartlett & Ashish Goel Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 09:24
Foto ilustrim

Midis shumë transformimeve që po ndodhin në ekonominë amerikane, asnjë nuk është më e spikatur sesa zhvillimi i platformave gjigante të Internetit. Amazon, Apple, Facebook, Google dhe Twitter, tashmë të fuqishëm edhe para pandemisë së Covid-19, janë bërë edhe më shumë gjatë saj, kjo pasi shumë nga jeta e përditshme “lëviz” në internet.

Sado e përshtatshme të jetë teknologjia e tyre, shfaqja e korporatave të tilla dominuese duhet të jetë një zile alarmi, jo vetëm pasi ato kanë aq shumë fuqi ekonomike, por edhe sepse kanë kaq shumë kontroll mbi komunikimin politik. Këta hegjemonë dominojnë tani shpërndarjen e informacionit dhe koordinimin e mobilizimit politik.

Dhe kjo gjë përbën një kërcënim unike për një demokraci që funksionon mirë. Ndërsa BE po synon të zbatojë ligjet anti-trust kundër këtyre platformave, Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë më të buta në reagimin e tyre. Por kjo sjellje ka nisur të ndryshojë.

Gjatë 2 viteve të fundit, Komisioni Federal i Tregtisë dhe një grup prokurorësh kanë filluar hetime për abuzime të mundshme të pushtetit monopol të këtyre platformave dhe në tetor, Departamenti i Drejtësisë ngriti një padi anti-trust kundër Google.

Në mesin e kritikëve të “Big Tech”, janë tani edhe demokratët që kanë frikë nga manipulimi nga ekstremistët vendas dhe të huaj, por edhe republikanët që mendojnë se platformat e mëdha janë të njëanshme kundër konservatorëve.

Ndonëse ka një konsensus në zhvillim në lidhje me kërcënimin që kompanitë “Big Tech” paraqesin për demokracinë, ka pak dakordësi se si të reagohet ndaj tyre. Disa thonë se qeveria duhet të shkatërrojë Facebook dhe Google. Të tjerët kanë bërë thirrje për rregullore më të rrepta, për të kufizuar shfrytëzimin e të dhënave nga këto kompani.

Që nga viti 2016, amerikanët janë ndërgjegjësuar mbi fuqinë e kompanive të teknologjisë në diktimin e informacionit. Këto platforma i kanë lejuar mashtruesit të prodhojnë dhe përhapin lajme të rreme, dhe ekstremistët të promovojnë teoritë e tyre të konspiracionit.

Ato mund të përforcojnë ose censurojnë zëra të veçantë, duke pasur kësisoj një ndikim shqetësues në debatin politik demokratik. Frika më e madhe është se platformat kanë grumbulluar aq shumë fuqi, sa mund të ndikojnë me apo pa dashje në proceset zgjedhore.

Rreziku i vërtetë i platformave të internetit nuk është se ato shtrembërojnë tregjet, por se ato e kërcënojnë demokracinë.

Platforma si Amazon, Facebook dhe Google, zotërojnë informacione për jetën e individëve që kompanitë e dikurshme nuk i kishin pasur kurrë. Ata e dinë se kush janë miqtë dhe familjarët e njerëzve, të ardhurat dhe pasuritë e tyre, dhe shumë nga detajet më intime të jetës së tyre.

Po sikur drejtuesi i një platforme të shfrytëzojnë me qëllime korruptive informacione të turpshme për të detyruar dorëheqjen e një zyrtari publik? Ose imagjinoni një keqpërdorim të informacionit privat në lidhje me kompetencat e qeverisë – të themi, Facebook që bashkëpunon me një Departament Drejtësie të politizuar.

Fuqia e përqendruar ekonomike dhe politike e platformave dixhitale, është si një armë e mbushur e vendosur mbi një tryezë. Në këtë moment, njerëzit që ulen në anën tjetër të Tryezës, ka të ngjarë të mos e marrin armën dhe të tërheqin këmbëzën.

Gjithsesi, pyetja për demokracinë amerikane është nëse është e sigurt të lihet arma atje, ku një person tjetër me qëllime më të këqija mund të vijë dhe ta marrë. Asnjë demokraci liberale nuk është e kënaqur që t’i besojë një pushtet shumë të madh politik individëve, bazuar vetëm në supozimin se ata kanë qëllime të mira.

Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vendosin kontrolle dhe ekuilibra mbi atë fuqi. Dhe metoda më e qartë për ta kontrolluar atë fuqi është rregullorja e qeverisë. Kjo është edhe qasja që po ndiqet në Evropë. Për shembull Gjermania ka miratuar një ligj që ndëshkon me gjobë të majme përhapjen e lajmeve të rreme.

Por edhe pse rregullimi mund të jetë akoma i mundur në disa demokraci me një shkallë të lartë të konsensusit shoqëror, ai nuk ka gjasa të funksionojë në një vend aq të polarizuar sa Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, një qasje tjetër për të kontrolluar fuqinë e platformave të internetit është promovimi i një konkurrence më të madhe.

Nëse do të kishte një shumëllojshmëri platformash, asnjëra nuk do të kishte dominimin që gëzojnë sot Facebook dhe Google. Por problemi, është se as Shtetet e Bashkuara dhe as BE nuk mund të shkatërrojnë Facebook ose Google, në mënyrën se si u bë dikur me “Standard Oil” dhe “AT&T”.

Kompanitë e sotme të teknologjisë do t’i rezistonin fort një përpjekjeje të tillë, dhe edhe nëse në fund do të humbnin, procesi i prishjes së tyre do të kërkonte vite, në mos dekada, që të përfundonte. Për më tepër, nuk është e qartë nëse për shembull shkatërrimi i Facebook, do të zgjidhte problemin themelor.

Ekziston një shans shumë i madh që një “foshnjë” e krijuar nga një ndarje e tillë e shpejtë, të rritet shpejt për të zëvendësuar “prindin”. Në kushtet e një perspektive së zbehtë të një ndarjeje, shumë vëzhgues e kanë drejtuar vëmendjen tek“transportueshmëria e të dhënave”, për të nxitur konkurrencën në tregun e platformave.

Teksa qeveria u kërkon kompanive celulare t’i lejojnë përdoruesit të mbajnë numrin e tyre edhe kur ndryshojnë kompani, ajo mund t’i urdhërojë kompanitë e internetit që përdoruesit të kenë të drejtë të marrin të dhënat që kanë dorëzuar nga një platformë në tjetrën.

Por transportueshmëria e të dhënave, përballet me një numër pengesash. Kryesorja është vështirësia për të lëvizur shumë lloje të dhënash. Edhe pse është mjaft e lehtë të transferohen disa të dhëna themelore – emri i një personi, adresa, informacioni i kartës së kreditit dhe adresa e postës elektronike – do të ishte shumë më e vështirë të transferosh të gjitha me të dhënat e një përdoruesi.

Këtu përfshihen pëlqime, klikime, porosi, kërkime, etj. Janë pikërisht këto lloj të dhënash që janë të vlefshme në reklamat e synuara. Jo vetëm që pronësia e këtij informacioni është e paqartë; por edhe vetë informacioni është gjithashtu heterogjen dhe specifik për platformën. Për shembull, si mund të transferohej një rekord i kërkimeve në Google në një platformë të re të ngjashme me Facebook?

Një metodë alternative e frenimit të fuqisë së platformave të tilla, mbështetet në ligjin e privatësisë. Sipas kësaj qasje, rregulloret do të kufizonin shkallën në të cilën një kompani teknologjike mund të përdorte të dhënat e konsumatorit të gjeneruara në një sektor, për të përmirësuar pozicionin e saj në një tjetër, duke mbrojtur si privatësinë ashtu edhe konkurrencën.

Por nëse rregullimi, prishja, transportueshmëria e të dhënave dhe ligji i privatësisë, nuk funksionojnë, atëherë çfarë mbetet të behet kundër fuqisë së madhe të këtyre platformave? Një nga zgjidhjet më premtuese ka marrë pak vëmendje:softueri i mesëm. “Middleware”, përcaktohet zakonisht si një softuer që kalon mbi një platformë ekzistuese, dhe mund të modifikojë prezantimin e të dhënave themelore.

I shtuar në shërbimet e platformave aktuale të teknologjisë, softueri i mesëm mund t’u lejojë përdoruesve të zgjedhin mënyrën e kurimit dhe filtrimit të informacionit për ta. Përdoruesit që do të zgjidhnin shërbimet e softuerit të mesëm, do të përcaktonin rëndësinë dhe vërtetësinë e përmbajtjes politike, dhe platformat do t’i përdornin ato përcaktime për të kuruar atë që panë ata përdorues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat