Pajisja e re që e kthen trupin e njeriut në bateri

Shkencë & Teknologji

Pajisja e re që e kthen trupin e njeriut në bateri

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 00:47
Shkencëtarët parashikojnë që kjo pajisje të dalë në treg brenda 5-10 viteve të ardhshme

Shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë për ta kthyer trupin e njeriut në bateri, nëpërmjet një pajisjeje me çmim të lirë. Nëpërmjet një gjeneratori termoelektrik që mund të mbahet si unazë apo byzylyk, ekspertët në Universitetin Colorado Boulder arritën që të konvertonin nxehtësinë e trupit në energji të mjaftueshme sa për të ndezur një pajisje elektronike.

Duke prodhuar përafërsisht 1 volt energji për çdo centimetër të lëkurës së njeriut, pajisja është e mjaftueshme për të furnizuar me energji pajisjet elektronike që mbajmë, të tilla si orat inteligjente apo gjurmuesit e fitnesit.

“Në të ardhmen duam që të jemi në gjendje që t’i furnizojmë me energji pajisjet që mbajmë në trup pa pasur nevojë për përdorimin e baterisë“, tha Jianliang Xiao, një prej ekspertëve lider në teknologji dhe profesor i asociuar në CU Boulder.

“Sa herë që përdorim bateri ajo konsumohet dhe për pasojë do të duhet të zëvendësohet. E bukura e pajisjeve termoelektrike është se mund ta mbash në trup dhe ajo të furnizon me energji konstante”.

Ekspertët thonë se kjo pajisje mund të adaptohet gjithashtu për t’i dhënë energji dhe për të eliminuar nevojën e baterive edhe në pajisjet e ndryshme mjekësore.

Nëse do të jetë e nevojshme ajo mund të bëhet edhe që të mbulojë të gjithë krahun, në mënyrë që të prodhojë edhe më shumë energji. Fleksibiliteti dhe jetëgjatësia varet e gjitha nga kontakti i afërt me lëkurën e njeriut, në mënyrë që të transformojë nxehtësinë e trupit në elektricitet.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja The Independent, shkencëtarët parashikojnë që kjo pajisje të dalë në treg brenda 5-10 viteve të ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat