Sulmi i Huawei-t për të liruar bijën e themeluesit të saj

Shkencë & Teknologji

Sulmi i Huawei-t për të liruar bijën e themeluesit të saj

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 15:45
Huawei

Huwaei vijon përpjekjet për të liruar Meng Wanzhou, kreun e financave të kompanisë e cila është në të njejtën kohë edhe bija e themeluesit të kompanisë. 

Momentalisht ajo është e ndaluar në Kanada për llogari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në pritje të vendimit të ekstradimit.

Mbi Meng-un rëndojnë akuza se ka kryer mashtrime financiare duke zhvilluar aktivitetin edhe në Iran. Forma e aluduar e aktivitetit të Huaweit është nëpërmjet kompanisë Skycom. 

Zhvillimi i bizneseve në Iran është në kundërshtim me sanksionet tregtare që SHBA-të kanë vendosur ndaj vendit islamik. Të gjitha akuzat janë hedhur poshtë nga Meng-u dhe avokatët e saj.

Si kundërpërgjigje për ekstradimin e saj, Huawei ka nisur një proces gjyqësor ndaj gjigandit bankar HSBC në Hong Kong. Kompania është me bazë në Angli por zhvillon pjesën më të madhe të aktivitetit të saj në Azi.

Kjo është përpjekja e dytë pas padisë së refuzuar para pak ditësh në Angli, përmes të cilës kërkonin të merrnin në dorëzim dokumente të brendshme të HSBC-së. 

Sulmet e bashkërenduara ndaj bankës vijnë si pasojë e bashkëpunimit të mëhershëm që ka patur kjo e fundit me prokurorët amerikanë. Ata kanë u kanë vënë në dispozicion palës amerikane dokumente të rëndësishme për çështjen e Meng-ut.

Kjo lëvizje ka acaruar së tepërmi drejtuesit ekzekutivë të Huawei-t. Gjithashtu, HSBC-ja rrezikon të futet në listën e “entiteteve të paqëndrueshme” të Kinës.

Megjithatë, duket se rrjedhja e informacioneve nuk ka qënë veprim direkt kundër Huawei-t, por nw kuadër të mbrojtjes ndaj akuzave të njejta me të cilat përballej për bashkëpunim me Iranin.

Procesi në Hong Kong do të jetë një test i rëndësishëm për sistemin gjyqësor të rajonit autonom. Demokracia e saj është vënë në shenjestër të përpjekjeve të Kinës për të rritur kontrollin politik mbi qendrën financiare. 

Ndërkohë, çështja përbën një gur themelor në acarimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Në një deklaratë të fundit, Huawei ka deklaruar se procesi ligjor në Hong Kong është “një kërkesë e tyre, në zbatim të ligjeve të Hong Kong-ut, për të marrë në dorë prova që dëshmojnë pafajësinë e saj [Meng-ut] ndaj akuzave që rëndojnë mbi të”. Deri tani, HSBC ka refuzuar të komentojë situatën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat