NASA përfton nga ajri i hollë i Marsit oksigjen që mund të thithet

Shkencë & Teknologji

NASA përfton nga ajri i hollë i Marsit oksigjen që mund të thithet

Më: 22 prill 2021 Në ora: 09:43
Ilustrim

NASA ka shënuar një arritje tjetër në misionin e saj më të ri në planetin Mars, duke e shndërruar dyoksidin e karbonit nga atmosfera e Marsit në oksigjen të pastër që mund të thithet, njoftoi agjencia amerikane e hapësirës të mërkurën.

Përftimi i pashembullt i oksigjenit nga ajri i hollë i Marsit u arrit të martën përmes një pajisjeje për eksperimente brenda roverit “Perserverance”, objekt me gjashtë rrota që u lëshua në sipërfaqen e “Planetit të Kuq” më 18 shkurt pas një udhëtimi 7-mujor nga Toka.

Në aktivizimin e tij të parë, instrumenti i vogël me emrin “Moxie”, prodhoi rreth 5 gramë oksigjen, që do të mund t’i shërbente rreth 10 minuta për frymëmarrje një astronauti, tha NASA.

Ndonëse rezultati fillestar ishte modest, ky veprim e shënon përftimin e parë eksperimental të një burimi natyror nga mjedisi i një planeti tjetër për përdorim të drejtpërdrejt nga njeriu, shkruan Reuters.

Instrumenti me të cilin u përftua oksigjeni nga ajri i Marsit funksionon përmes elektrolizës, e cila e përdor nxehtësinë ekstreme për t’i ndarë atomet e oksigjenit nga molekulat e dyoksidit të karbonit, i cili përbën rreth 95 për qind të atmosferës së Marsit.

Pjesa tjetër e atmosferës së këtij planeti, që është vetëm 1 për qind e dendur në krahasim me atë të Tokës, përbëhet kryesisht nga azoti molekular dhe argoni.

Arritja historike e NASA-s u bë vetëm një ditë pas një arritjeje tjetër, kur u realizua fluturimi i parë i kontrolluar i një objekti fluturues në një planet tjetër pas ngritjes dhe lëshimit të suksesshëm të një helikopteri miniaturë në Mars.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat