I hapet rrugë ndërtimit të modelit të kostove të operatorëve celularë

Shkencë & Teknologji

I hapet rrugë ndërtimit të modelit të kostove të operatorëve celularë

Më: 26 prill 2021 Në ora: 19:32
AKEP

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi këtë muaj një dokument reference për ndërtimin e modelit të kostove për shërbimet e komunikimeve të lëvizshme në Shqipëri.

Ky dokument është i rëndësishëm me qëllim rregullimin e tarifave me shumicë (të terminimit). Ato përfaqësojnë tarifat që operatorët e shërbimeve celulare i paguajnë njëri-tjetrit për terminimin e thirrjeve në rrjetet përkatëse.

Rregullimi i tarifave me shumicë është instrumenti kryesor që përdorin entet rregullatore të komunikimeve elektronike për garantimin e konkurrencës në tregjet e telefonisë celulare. Sipas AKEP, ky Model i Referencës së Modelit përshkruan dhe shpjegon parimet kryesore të modelimit dhe parametrat kryesorë mbi të cilët bazohet modeli i kostos, duke marrë parasysh maksimalisht rekomandimin e Komisionit Europian të vitit 2009 dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ai adreson gjithashtu tiparet dhe funksionet kryesore të modelit për të adresuar sfidat rregullatore aktuale dhe të ardhshme në Shqipëri. Sidoqoftë, AKEP saktëson se ky dokument nuk përcakton në një mënyrë të gjerë dhe shteruese përdorimin e ardhshëm të modelit, pasi kjo do të kryhet nëpërmjet vendimeve rregullatore specifike të tregut.

Deri tani, për llogaritjen e orientimit të tarifave të terminimit të thirrjeve kombëtare drejt kostove, AKEP është mbështetur në metodën benchmark të mesatarizimit të tarifave të aplikuara në vendet e BEREC (Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike). Kjo është bërë në mungesë të një metodologjie të mirëfilltë për llogaritjen e kostove të tregut shqiptar.

Tregu i komunikimeve të lëvizshme prej dy dekadash ka qenë një ndër më delikatët në kuptimin e funksionimit të konkurrencës. Duke qenë ndër tregjet që klasifikohen si oligopole natyrore, rregullimi i tij është kompleks dhe ka shtruar vazhdimisht sfida, si për rregullatorin e tregut, ashtu edhe për Autoritetin e Konkurrencës.

Operatori i katërt, Plus Communication, doli nga tregu në fund të vitit 2017, ndërsa operatori i tretë, Albtelecom Mobile, operon me humbje që nga fillimi i aktivitetit. Në analizat e fundit, të vitit 2019, Autoriteti i Konkurrencës vlerësonte që ekziston rreziku për daljen nga tregu edhe të operatorëve të tjerë dhe, për këtë arsye, i ka kërkuar AKEP marrjen e masave të reja rregullatore, përfshi edhe rregullimin e tregut me pakicë. Megjithatë, në prill të vitit të kaluar Këshilli Drejtues i AKEP u shpreh zyrtarisht se tregu me pakicë nuk plotëson kriteret për rregullim paraprak (ex ante) dhe se problemet e mundshme të këtij tregu duhet të adresohen nga Autoriteti i Konkurrencës (AK).

Vitin e kaluar, AK zhvilloi një hetim paraprak, që u shoqëruar me vendosjen e detyrimeve ndaj operatorëve. Megjithatë, detyrimet lidheshin kryesisht me shmangien e marrëveshjeve të ndaluara ose praktikave të bashkërenduara, ndërsa hetimi nuk adresonte më tej problematikën e abuzimeve të mundshme me pozitën dominuese në këtë treg. /Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat