Magneti gjigant që mund të ngrejë aeroplanmbajtësen, çelësi i energjisë së të ardhmes

Shkencë & Teknologji

Magneti gjigant që mund të ngrejë aeroplanmbajtësen, çelësi i energjisë së të ardhmes

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 18:38
Foto ilustrim

Nëse projekti funksionon mund të prodhojë energji të pakufishme, pa rrezik radiacioni apo emetime karboni.

Kësaj jave komponentët kryesorë të një prej magnetëve më të fuqishëm të botës, aq i fuqishëm sa të mund të ngrejë një aeroplanmbajtëse 2 metra larg tokës, u vendosën në një kamion me 24 akse në Kaliforni.

Mjeti ka si destinacion Francën, ku një koalicion ndërkombëtar prej 35-kombesh i quajtur ITER po punon për energji të gjeneruar nga fuzioni bërthamor, në masën më të madhe të krijuar ndonjëherë, si hapi i parë në zhvillimin e një burimi energjie me zero emetime karboni.

Komponentët janë pjesë e Central Solenoid, elektromagneti gjashtë-katësh në zemër të strukturës së quajtur tokamak.

Brenda tij, deuterium dhe gazi i tritiumit në dhomën e vakumit do të super-nxehen deri në temperatura sa bërthama e diellit, për t’u kthyer në plazmë të jodizuar, deri në atë pikë sa që reaksioni i fuzionit do të kombinojë  bërthamat e atomeve për të gjeneruar sasi madhore energjie.

Magnetet do ta mbajnë plazmën në forca specifike, teksa çliron neutronet me energji super-të lartë, të cilët do të përplasen në muret e dhomës, disa prej të cilëve do të transmetojnë jashtë energjinë e tyre, ndërsa të tjerë do të bashkëveprojnë me litiumin për të krijuar më shumë karburant për reaktorin.

“ITER është një eksperiment i çuditshëm, ndryshe nga çdo gjë tjetër në histori, sepse nuk është një por një kombinim sfidash teknologjie,” thotë Laban Coblentz, kreu i komunikimeve të ITER në France. Ai shton: “Nëse i tregon një inxhinieri për dimensionet e Central Solenoid, ai do të thotë se është mjaftueshëm i fuqishëm për të ngritur një aeroplambajtëse, ose ndryshe është një magnet 20 metra i lartë që ende nuk është vendosur në aksin qendror të makinerisë me preçizion milimetrik”.

Ndërtimi i impjanteve të fuzionit bërthamor njihet ndryshe si krijimi i “yjeve në tokë” pasi përdor të njëjtat reaksione që ndodhin brenda Diellit, dhe kanë qenë për dekada me radhë ëndrra e shkencëtarëve për një energji të qëndrueshme e të sigurtë.

Ka pasur edhe më herët tentativa të ngjashme energjie brenda tokamakëve, por deri tani asnjë nuk ka arritur “pikën e ekuilibrit” ku energjia e përftuar është më e madhe se ajo e investuar në të.

Më i afërti ka qenë projekti European Torus në Britani, i cili prodhoi 67 përqind të energjisë së investuar në të. ITER, proceset e të cilit nisin testimet në 2025, synon të prodhojë energji 10 herë më shumë se ajo që futet në të.

“Projekti ITER është bashkëpunimi shkencor më kompleks në histori,” thotë drejtori i përgjithshëm Dr Bernard Bigot.

“Komponentët e tij unikë po prodhohen në tre kontinente në një periudhë 10 vjeçare nga kompani lider. Pa këtë bashkëpunim global nuk do të ishte asgjë e mundur”, shton ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat