Shkenca: Gjarpërinjtë mund të masin rrezatimin radioaktiv në Fukushima

Shkencë & Teknologji

Shkenca: Gjarpërinjtë mund të masin rrezatimin radioaktiv në Fukushima

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 00:00
Foto ilustrim

Dhjetë vjet pas katastrofës në Fukushima të Japonisë, shkencëtarët kanë zbuluar se gjarpërinjtë mund të masin rrezatimin radioaktiv në këtë rajon.

Në 2011, tre reaktorë bërthamorë u dëmtuan, pasi një cunami prej 15 metrash çaktivizoi furnizimin me energji dhe aparatin e ftohjes në termocentralin “Fukushima Daiichi”.

Aksidenti u vlerësua me 7, që është niveli më i lartë në Shkallën Ndërkombëtare të Ngjarjeve Bërthamore dhe Radiologjike.

Një ekip nga Universiteti i Gjeorgjisë zbuloi se një racë japoneze gjarpërinjsh janë një bioindikator efektiv i radioaktivitetit të mbetur në Fukushima, pra, mund të “ndiejnë” rrezatimin radioaktiv dhe të masin nivelin e tij.

Gjarpërinjtë grumbullojnë nivele të larta të radionuklideve, që janë elementë kimikë që mund të përdoren për të përcaktuar nivele të ndryshme të ndotjes në zonat nëpër të cilat kalojnë gjarpërinjtë. Kjo bën që ata të veprojnë si një sinjal për shëndetin e ekosistemit lokal.

Kjo racë gjarpërinjsh shpesh mbahet dhe si kafshë shtëpiake, pasi kafshimet e tyre nuk janë helmuese.

Në eksperimentin në fjalë, transmetues që përmbanin një sistem gjurmues me frekuencë të lartë, iu bashkëngjiten nëntë gjarpërinjve, për të monitoruar lëvizjen e tyre.

Pas një muaji monitorimi të gjarpërinjve, 1.718 vende me radioaktivitet të lartë u identifikuan në Malësinë Abukuma, që ndodhet rreth 24 kilometra në veriperëndim të Centralit Bërthamor “Fukushima Daiichi”.

Ekipi hulumtues thotë se krahasuar me speciet e tjera në Azinë Lindore, gjarpërinjtë janë treguesit më të mirë të ndotjes lokale.

“Gjarpërinjtë janë tregues të mirë të ndotjes së mjedisit, sepse ata kalojnë shumë kohë në tokë”, thotë James Beasley, një nga studiuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat