Një javë e mbushur me zhvillime për hapësirën

Shkencë & Teknologji

Një javë e mbushur me zhvillime për hapësirën

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 20:07
Foto ilustrim

Java që po lëmë pas ka shënuar disa zhvillime me rëndësi në lidhje me hapësirën. Rusia njoftoi për planet për të ndërprerë një partneritet afatgjatë hapësinor me vendet e tjera. Një kompani private e fluturimeve në hapësirë e ka thyer sërish rekordin e nisjeve të suksesshme të anijeve hapësinore dhe NASA ka shënuar një arritje për misionin e saj të ardhshëm në Hënë. 

Kompania private e fluturimeve hapësinore SpaceX, me fluturimin e radhës nga Florida, ka vazhduar të thyejë rekordin e saj për fluturime të suksesshme. Kësaj radhe, raketa “Falcon 9” dërgoi një tjetër grup satelitësh “Starlink” në orbitë, duke ia shtuar atë plejadës së satelitëve që ofrojnë qasje në lidhje të shpejtë interneti në të gjithë planetin. Ky ishte fluturimi i 33-të i suksesshëm këtë vit. Në vitin 2021 “SpaceX” realizoi 31 fluturime. 

Lajmi më i rëndësishëm doli këtë javë nga një takim që u transmetua në televizion nga Moska. Shefi i ri hapësinor i Rusisë, Yuri Borisov, i tha presidentit rus Vladimir Putin se agjencia do të tërhiqet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, pas vitit 2024. 

Njoftimi i Rusisë pasoi 47 vjetorin e misionit “Apollo-Soyuz” të vitit 1975, mes SHBA-së dhe ish Bashkimit Sovjetik i cili shënoi partneritetin e parë ndërkombëtar hapësinor. Për ata që kanë ndjekur historinë e atij partneriteti, kërcënimi për tërheqje nga Moska, nuk është diçka e re. 

“Rusia e ka thënë këtë edhe në të kaluarën. Ata gjithashtu kanë thënë se do të ndërtojnë stacionin e tyre hapësinor. Ata kanë thënë që shumë vjet se do të ndërtojnë kapsula të reja për të zëvendësuar Soyuz-in, raketa të reja, stacione hapësinore, një Hënë të re. Thjesht flitet vazhdimisht për to dhe shumica dërrmuese e tyre nuk ndodhin kurrë. Pra, a do t'i japin fund pjesëmarrjes së tyre në vitin 2024? Une nuk e di", tha ish astronauti amerikan, Terry Virts. 

Njoftimi u bë pas një daljeje në hapësirë gjatë kësaj jave midis kozmonautit Oleg Artemyev dhe astronautes italiane, Samantha Cristoforetti. Nëse Rusia përfundimisht ndërpren pjesëmarrjen, ekspertët thonë se kjo mund të sjellë vështirësi për Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. 

“Ata thjesht mund të largohen. Kjo do të ishte një fatkeqësi. Segmenti amerikan nuk e bënë shtyrjen para të Stacionit Hapësinor. Segmenti amerikan e lëviz atë lart, poshtë, majtas dhe djathtas... Segmenti rus është ai që e bënë shtyrjen para dhe nëse nuk e zëvendësoni atë, atëherë ju duhet një raketë që i jep shpejtësi dhe një tjetër për ta mbajtur atë të mos rrotullohet, e kështu humbet shumë lëndë shtytëse”, tha më tej zoti Virts. 

Ai shtoi se qeveria amerikane mund të stimulojë kompanitë private të fluturimeve në hapësirë si SpaceX dhe Axiom Space për të mbushur boshllëqet e krijuara prej një largimi të mundshëm rus nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor. 

Zyrtarët amerikanë shprehën zhgënjim për njoftimin e Rusisë, i cili u mor pasi Moskës iu vunë sanksione ndërkombëtare për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. 

“Është një zhvillim fatkeq duke pasur parasysh punën kritike shkencore të kryer në atë stacion hapësinor, bashkëpunimin e vlefshëm profesional që agjencitë tona hapësinore kanë pasur ndër vite, dhe veçanërisht pas marrëveshjes së ripërtrirë për bashkëpunim në fluturimet hapësinore”, u shpreh zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price. 

Një zhvillim tjetër me rëndësi është se ekipet nga NASA dhe kompania amerikane e prodhimit të armëve, “Northrop Grumman” kryen një test të një sistemi për nisje drejtë hapësirës, nga një prej shkretëtirave të shtetit amerikan, Utah. Përforcuesit me pesë segmente janë më të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit që janë ndërtuar ndonjëherë për fluturim drejt hapësirës. Ky sistem është projektuar për të transportuar kapsulën Orion, me astronautët dhe ngarkesën brënda, nga orbita e Tokës drejtpërdrejt për në Hënë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat