Shkodra ''kërcënohet'' nga reshjet, prefektja Majlinda Angoni: Jemi në gatishmëri

Shkodra

Shkodra ''kërcënohet'' nga reshjet, prefektja Majlinda Angoni: Jemi në gatishmëri

Më: 21 janar 2021 Në ora: 20:51
Majlinda Angoni

Pas të ftohtit dhe acarit nga nesër pritet të rikthehen reshjet e dendura të shiut në Shqipëri, ku intesitetit më i madh i tyre do jetë kryesisht në zonën veri-perëndimore.

Për këtë, Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile ka paralajmëruar se rajoni i Shkodrës do të goditet nga reshje të shumta shiu, që do zgjasin rreth katër ditë, situatë kjo që mund të shoqërohet me përmbytje.

Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni, tregoi për Euronews Albania, masat, që sipas saj janë marrë për të përballuar situatën. Ajo tha se strukturat janë vënë në gatishmëri të plotë për t’u kujdesur për banorët në rast nevoje.

“Pritet të kemi reshje sipas Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile (AKEC), që bazuar edhe tek IGJEUM, do të kemi reshje të një intensiteti të lartë, kjo na vuri para përgjegjësisë. Përqendrimi i reshjeve është në Shkodër dhe në Vaun e Dejës. Ka një mirëmenaxhim të kaskadës së Drinit, dhe kjo është dhe falë shkarkimeve qëjanë bërë gjatë gjithë kësaj jave”, tha ajo.

Ajo tha se ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës nga përmbytjet e pak ditëve më parë. Sipas znj. Angoni në të gjithë qarkun e Shkodrës përllogariten sot rreth 910 hektarë tokë, e cila është mbuluar nga uji.

“Ne nuk kemi pasur shtëpi të përmbytura. Nuk kemi pasur persona të evakuuar, nuk kemi pasur gjë të gjallë të evakuuar. Në Shkodër nuk kemi pasur, por kemi pasur vetëm një familje në Vaun e Dejës dhe ajo është strehuar tek fisi i vet. Kemi pasur sipërfaqe nën ujë. Kemi si qark i Shkodrës 910 ha tokë  nën ujë. Kemi një rëni të ujërave si në Bunë, Drin, dhe ashtu dhe në Liqenin e Shkodrës”,  shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat