Ligji i ri/ Rregullat e reja të punësimit, 13 kategoritë që favorizohen - Bota Sot
Ligji i ri/ Rregullat e reja të punësimit, 13 kategoritë që favorizohen

Shqipëria

Ligji i ri/ Rregullat e reja të punësimit, 13 kategoritë që favorizohen

Më: 31 janar 2019 Në ora: 08:13
Ilustrim

Qeveria ‘Rama’ ka depozituar një projektligj të ri në Kuvendin e Shqipërisë, i cili përcakton rregullat e reja të punësimit dhe të kualifikimit profesional, ngritjen e institucioneve përkatëse, funksionimin e tyre dhe disa mekanizma, me qëllim rritjen e punësimit të shqiptarëve. Në projektligj janë shtuar grupet e veçanta, të cilat deri më sot kanë pasur më shumë vështirësi për t’u integruar në treguan e punës, në sektorin privat dhe publik. Këto grupe do të kenë përparësi për t’u punësuar.

Konkretisht, janë 13 kategori, ku përfshihen të rinjtë me moshë nën 29 vjeç, personat me moshë mbi 55 vjeç, jetimët, personat me aftësi të kufizuara, personat nga komuniteti rom dhe egjiptian, personat që kanë apo janë duke vuajtur dënimin me burgim, personat nga familjet me ndihmë ekonomike, punëkërkuesit e papunë afatgjatë, punëkërkuesit e kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni, të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin etj. Në projektligj parashikohet detyrimi i punëdhënësve përfitues të fondeve publike në formën e investimeve të Këshillit të Ministrave apo dhe koncesioneve në punë publike, për të punësuar punëkërkues të papunë të regjistruar në strukturat rajonale/vendore të punësimit, sipas rregullave që do të vendosen nga Këshilli i Ministrave.

Institucioni përgjegjës
Projektligjit parashikon ngritjen e institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, i cili do të ketë statusin e juridik të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Kjo bëhet në mbështetje të programit të qeverisë, ku është parashikuar ndërtimi i kësaj agjencie, e cila do të mbledhë në një dhe do të rikonceptojë, sipas praktikave më të mira, modernizimin e strukturave rajonale/vendore të punësimit, sistemin e sigurimeve të punësimit, programin e nxitjes së punësimit dhe trajnimet profesionale politika dhe programe këto të parashikuara në nenet 5-13 të projektligjit.

Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë kryen hulumtime periodike pranë ndërmarrjeve për mbledhjen e të dhënave mbi numrin e të punësuarve, kushtet e punës, procesin e rekrutimit, mungesën e aftësive apo nevojave për trajnim sipas metodologjive kombëtare/ndërkombëtare të testuara dhe/apo të miratuara. Institucioni përgjegjës zbaton programet e formimit profesional dhe ofron kurse pa pagesë, për punëkërkuesit e papunë, kurse me pagesë, për persona që e kërkojnë një gjë të tillë si dhe mjedise dhe mjete logjistike, kundrejt qirasë, për subjekte që ofrojnë formimin profesional. Ky institucion do të ngrihet me anë të një vendimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave. 

Dy këshillat 
Krahas institucionit përgjegjës për punësimin, do të ngrihen edhe dy këshilla të reja, Këshilli Konsultativ Tripalësh dhe Këshilli Vendor Tripalësh. Këshilli Konsultativ Tripalësh është organ këshillimor i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, ku janë të përfaqësuara organizatat e punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe institucionet shtetërore. Këshilli përbëhet nga 11 anëtarë dhe kryesohet nga ministri përgjegjës për çështjet e punësimit, ndërsa do të ketë nga një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat, për çështjet sociale, për arsimin, nga Inspektorati Shtetëror i Punës, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëmarrësve dhe 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëdhënësve. Këshilli këshillon për projektbuxhetin për vitin në vazhdim, për investimet e fondeve, për kontratat dhe marrëveshjet më të rëndësishme. Këshilli Vendor Tripalësh ngrihet pranë strukturës rajonale/vendore si organ konsultativ. Këshilli ka të drejtë të propozojë ide për përmirësimin e shërbimeve të punësimit në nivel qarku, të shqyrtojë dhe të miratojë në parim dobishmërinë social-ekonomike të programeve dhe projekteve të paraqitura në strukturat rajonale/vendore. Këshilli përbëhet nga 7 anëtarë gjithsej, prej të cilëve 3 anëtarë nga institucionet shtetërore, ku një anëtar është drejtori i strukturës rajonale/vendore, 2 anëtarë nga organizatat më të përfaqësuara të punëmarrësve dhe 2 anëtarë nga organizatat më të përfaqësuara të punëdhënësve.

Krijohet fondi i punësimit
Neni 22 parashikon krijimin e Fondit Social të Punësimit, në formën e një fondi financiar publik. Fondi krijohet për të siguruar nxitjen e punësimit, integrimin dhe përfshirjen sociale të personave me aftësi të kufizuara. Fondi krijohet nga buxheti i shtetit, të ardhura të tjera të krijuara nga burime të tjera të ligjshme, përfshirë financime dhe grante, fondet e përfituara nga marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe donatorëve të ndryshëm si dhe nga punëdhënësit që nuk respektojnë kushtin për të punësuar një person me aftësi të kufizuara.

Fondi Social i Punësimit përdoret për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës të personave me aftësi të kufizuara, programe riintegrimi social, mbështetje për nxitjen e punësimit të familjarëve të personave me aftësi të kufizuara. Punëdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë subvencion nga struktura përkatëse rajonale/vendore, për rikonstruksion dhe përshtatjen e vendit të punës, për çdo person me aftësi të kufizuara të punësuar nga ata.

Përparësia e personave me aftësi të kufizuara
Neni 21 i projektligjit i dedikohet personave me aftësi të kufizuara. Në pikën 1 është parashikuar se çdo punëdhënës që punëson më tepër se 49 punonjës është i detyruar të punësojë një person me aftësi të kufizuara, për çdo 50 punonjës të personelit të tij. Në pikën 2 parashikohet se punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave me aftësi të kufizuara, sipas pikës 1, të këtij neni, derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e gjysmë page minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar sipas këtij neni (aktualisht, paga minimale në shkallë vendi e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave është 26 000 lekë, pra kjo masë është 13 000 lekë). Procedura dhe mënyra e derdhjes së kontributit përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit. Një punëdhënës mund të punësojë një person me aftësi të kufizuara të thella në vend të pesë personave me aftësi të kufizuara të lehta.

Janë shtuar grupet e veçanta që do kenë përparësi 

1.    Të rinjtë me moshë nën 29 vjeç
2.    Personat me moshë mbi 55 vjeç
3.    Personat me aftësi të kufizuara
4.    Jetimët 
5.    Kryefamiljarët e vetëm, me fëmijë në ngarkim
6.    Personat nga komuniteti rom dhe egjiptian
7.    Personat që kanë apo janë duke vuajtur dënimin me burgim;
8.    Personat nga familje që përfitojnë nga programet e mbështetjes me të ardhura
9.    Punëkërkuesit e papunë afatgjatë (të regjistruar si punëkërkues të papunë prej më shumë se një viti)
10.    Punëkërkuesit e papunë, të kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni;
11.    Të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin
12.    Viktimat e trafikut e të dhunës me bazë gjinore dhe në familje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...