Basha zbardh dosjen ‘184’: Deputetë e ish-ministra të PS, të përgjuar në blerje votash - Bota Sot
Basha zbardh dosjen ‘184’: Deputetë e ish-ministra të PS, të përgjuar në blerje votash

Shqipëria

Basha zbardh dosjen ‘184’: Deputetë e ish-ministra të PS, të përgjuar në blerje votash

Më: 14 mars 2019 Në ora: 09:17
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është i bindur se zbardhja e dosjes “184”, e denoncuar prej kohësh nga opozita, do të shënonte fundin politik të Edi Ramës.

Nga Dibra, qytet ku sipas kreut të opozitës nisi edhe eksperimenti i parë i Edi Ramës me vjedhjen e votave, Basha deklaroi se në dosjen “184” janë të përfshirë disa deputetë dhe ish-ministra të PS.

“Këtu në Dibër, në shtator të 2016-s, u bë eksperimenti i parë i Edi Ramës në aleancë me krimin; këtu në Dibër, për herë të parë në dekada e shekuj, vendosi t’ju sillte në krye të vendit jo njerëz që e kanë udhëhequr Dibrën me mençurinë e fjalës, me forcën e karakterit, por vendosi t’ju sjellë në krye të vendit kriminelët, trafikantët, për të nënshtruar demokratët dhe për të poshtëruar socialistët e Dibrës.

Vëllezër dhe motra, dosja ‘184’ është fundi politik i Edi Ramës dhe bandës së tij të hajdutëve. Në këtë dosje janë kapur gafilë Edi Rama, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Ulsi Manja, Sadri Abazi, Pjerin Ndreu, Paulin Sterkaj dhe dhjetëra hierarkë socialistë, duke bërë pazare me Ymer Lalën dhe krimin e organizuar për të blerë vota, për të shantazhuar dibranët dhe për të mbushur kutitë e votimit për të kapur me çdo kusht e me çdo çmim Bashkinë e Dibrës dhe për të bërë eksperimentin këtu në Dibër në vitin 2017 e shtrinë në gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, Kryeprokurorja Arta Marku po e mban të fshehur dosjen, por ai premtoi se ajo dosje nuk do të mund të mbahet e fshehur përgjithmonë dhe përgjegjësit për vjedhjen e votave do të shkojnë përpara drejtësisë. “Prokuroria kriminale e Arta Markut dhe Donika Prelës e mban të fshehur këtë dosje, por kjo dosje nuk do të fshihet përgjithmonë. Edi Rama dhe Ymer Lala kanë shumë qejf të rrinë bashkë. Kur kjo dosje të zbardhet, bashkë do të rrinë në qelitë e Burgut 313, aty ku e kanë vendin të gjithë ata që kryen krimin e të gjithë krimeve, vjedhjen e votave dhe instalimin e pushtetit kriminal”, deklaroi kreu i PD-së. Basha foli për një plan qeverisës nga PD kur të vij në pushtet.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër janë kapur duke vjedhur; duke vjedhur taksat e shqiptarëve, duke vjedhur lekët e xhepave tuaj, bukën e fëmijëve tuaj, për t’ia dhënë një grushti njerëzish. Nuk rriten pensionet, nuk rriten rrogat, mbyllen bizneset, nafta më e larta në Europë, energjia më e larta në Rajon dhe paratë që dali nga xhepat tuaj i ndajnë 5 hajdutë me Edi Ramën dhe një grusht kriminelësh.Ne do të marrim masa të menjëhershme për të ndalur këtë krizë. Ne menjëherë do të heqim taksën “Rama” për naftën, 300 lekë më e lirë do të jetë nafta dhe karburanti për shqiptarët ditën e parë kur qeveria të mos jetë më peng i krimit”, tha Basha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...