Një shqiptare kandidate për zgjedhjet europiane në Itali

Shqipëria

Një shqiptare kandidate për zgjedhjet europiane në Itali

Më: 18 prill 2019 Në ora: 11:31
Gerarta Ballo

Italia ka hyrë zyrtarisht në fushatën elektorale të zgjedhjeve evropiane të 26 majit 2019.

Të gjitha forcat politike kanë prezantuar simbolet e tyre si dhe listën e kandidatëve për Parlamentin e ri evropian.

 Mes tyre është dhe shqiptarja Gerarta Ballo, e cila prej moshës 11 vjeçe jeton në Itali.

Ajo është në listën e Kolegjit Zgjedhor të Italisë së jugut ku janë përfshirë rajonet si Kalabria, Abruzzo, Molise, Basilicata, Puglia e Campania.

Italo-shqiptarja Gerarta Ballo është kandidate e pavarur në listën e Partisë Demokratike të qendrës së majtë italiane për zgjedhjet europiame 2019.

Gerarta është një figurë e njohur për komunitetin shqiptar e arbëresh në Itali.

Për dy mandate rresht ka qenë një nga përfaqësueset e diplomacisë shqiptare në Ambasadën e vendit tonë në Romë.

Por rrugëtimi i saj drejt politikës ka nisur qysh herët duke qenë një aktiviste dhe themeluese e disa organizatave civile në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve, të brezave të rinj të emigrantëve, e të minorancave etnike në Itali.

Për punën e saj, qyteza arbëreshe Lungro e ka vlerësuar me titullin "Qytetare e nderit".

Gerarta Ballo apo Geri siç e njohin të gjithë, ka studiuar për marrëdhënie politike në Universitetin e Torinos.

Ajo ka punuar për disa kohë dhe në emisionin radiofonik "Shqip in Torino".

Lajmi që një italo-shqiptare po kandidon për zgjedhjet europiane 2019 është pritur mjaft mirë nga komuniteti i emigrantëve shqiptarë si dhe nga arbëreshët e Italisë.

Zgjedhja e saj në Parlamentin Europian do të jetë një mundësi e mirë për shqiptarët e Italisë, për arbëreshët, për minorancat etnike e për të gjithë Italinë e Jugut në prezantimin sa më konkret e të vërtetë të problematikave e të nevojave të tyre pranë institucioneve europiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat