Shefja e ONM: Reforma në Shqipëri dramatike, presim rezultate konkrete - Bota Sot
Shefja e ONM: Reforma në Shqipëri dramatike, presim rezultate konkrete

Shqipëria

Shefja e ONM: Reforma në Shqipëri dramatike, presim rezultate konkrete

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 09:06
Genoveva Ruz Calavera

Shefja e misionit të ONM-së në Tiranë, Genoveva Ruz Calavera, kërkoi produkte konkrete nga Reforma në Drejtësi në Shqipëri.

Nga Samiti i Poznanit në Poloni, shefja e Misionit të ONM-së në Tiranë, Calavera, ka vënë theksin se deri më tani puna po ecën në drejtimin e duhur dhe Shqipëria më në fund do të ketë organe gjyqësore të pavarura.

Calavera, e cila është njëkohësisht dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit, e cilësoi Reformën në Drejtësi në Shqipëri si shumë dramatike.

“Kjo ka për të qenë thelbësore: të keni një shtet ligjor funksional, të keni një sistem gjyqësor të pavarur. Nuk është më një çështje e negociueshme. Ne duhet të nxëmë nga mësimet tona. Prandaj jam shumë e lumtur që për shkak të popullit shqiptar dhe jo për shkak të politikanëve, për shkak të qytetarëve, ky ndryshim dramatik ka nisur në Shqipëri. Sepse kjo do të thotë që me këtë proces, që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur, Shqipëria do të arrijë në një pozicion fantastik për të kapur kohën e humbur deri tani. Çdo vend duhet të gjejë mënyrën për të reformuar gjyqësorin. Nuk është e thënë që të jetë kaq dramatike sa e Shqipërisë, sepse problematika nuk është e njëjtë për çdo vend, por ju duhet të gjeni një mënyrë për të bërë reformën”, deklaroi Calavera.

Duke folur për një drejtësi të pavarur, shefja e ONM-në në Shqipëri tha se nuk mund të anëtarësohet asnjë vend në BE pa një gjyqësor të pavarur. “Këtë herë, kur ne negociojmë anëtarësimin, ne kërkojmë një historik treguesish. Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar. Vetëm mund të shpresoj që në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën e që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme”, u shpreh shefja e ONM-së.

Muajin e kaluar, shtetet anëtare të BE-së shtynë një vendim për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në tetor. Disa anëtarë të bllokut, duke përfshirë Francën dhe Holandën, ishin kundër hapjes së negociatave. Komisioni Europian, si institucion ekzekutiv i bllokut, ka rekomanduar që bisedimet e pranimit me dy vendet e Ballkanit të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke thënë se të dyja vendet kanë “kryer reforma”.

Mbledhjes së ministrave të Jashtëm, të Brendshëm dhe të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u bashkohen më 5 korrik krerët e BE-së, duke përfshirë Kancelaren gjermane, Angela Merkel, Kryeministren britanike në largim, Theresa May, Kryeministrin francez, Edouard Philippe dhe Presidentin polak, Andrzej Duda.

Ministri i Jashtëm polak, Jacek Czputowicz, ka bërë thirrje për “bashkëpunim më të fuqishëm” midis Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se kjo do të ndihmojë në rritjen e “stabilitetit dhe zhvillimit” të rajonit. “Europa nuk mund të konsiderohet plotësisht e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor, si në aspektin gjeografik ashtu edhe në atë gjeopolitik, dhe një politikë ambicioze e zgjerimit të BE-së është vendimtare”, tha Czputowicz.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat