Teatri Kombëtar/ Soreca sqaron: Deklarata ime u paraqit jashtë kontekstit

Shqipëria

Teatri Kombëtar/ Soreca sqaron: Deklarata ime u paraqit jashtë kontekstit

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 21:35
Luigi Soreca

Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca i është dashur të sqarohet me një tjetër deklaratë, pas reagimeve të shumta për deklaratat e bëra sot për Teatrin Kombëtar.

Soreca sqaron se deklarata e tij është paraqitur jashtë kontekstit duke risjellë edhe njëherë deklaratën ku është shprehur se lidhur me ndërtimin e teatrit kombëtar duhet siguruar një transparencë e procedurave dhe konkurrencë e drejtë dhe e lirë.

“Vërej me shqetësim se përgjigjja ime sot në një pyetje mbi çështjen e Teatrit Kombëtar është paraqitur jashtë kontekstit.

Prandaj është e dobishme të theksohet se sot kam përsëritur qëndrimin e shprehur tashmë shtatorin e kaluar nga Komisioni Evropian, kur autoritetet kompetente shqiptare u ftuan për të ndjekur pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe për të siguruar qasje jo diskriminuese në treg. Gjithashtu deklarova sot se transparenca e procedurave është thelbësore për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë.

Unë shtova se është e nevojshme që të jepet kohë për procedurat institucionale për të marrë një vendim për çdo mosmarrëveshje ligjore që ekziston në këtë çështje, në respekt të plotë të sundimit të ligjit.

Më në fund përfundova duke kujtuar se Delegacioni i BE-së është plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes si të drejtë themelore dhe është gati të vazhdojë dialogun me artistët dhe qytetarët e përfshirë”, shkruan Soreca në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat