Meta: Presidentin nuk mund ta shkarkojë një Kuvend me vetëm 82 vota të legjitime

Shqipëria

Meta: Presidentin nuk mund ta shkarkojë një Kuvend me vetëm 82 vota të legjitime

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 22:41
Ilir Meta

Presidenti Meta ka deklaruar sot se Kuvendi e ka të pamundur shkarkimin e tij për shkak se ka vetëm 82 të ligjshme, numër i pamjaftueshëm sipas tij referuar Kushtetutës (duhen 93 vota).

Në një intervistë për emisionin Opinion, Meta ka nënkuptuar atë që tashmë e ka deklaruar më parë, se ai nuk e njeh si legjitime opozitën e re në parlament, e cila u formësua pas djegies së mandateve të opozitës.

Meta është pyetur nga gazetari Fevziu gjithashtu dhe për mundësinë e shpërndarjes së parlamentit nga ana e Presidentit, për të cilën Meta nuk dha një përgjigje të prerë.

Për më tepër lexoni pjesën nga intervista në Opinion:

Blendi Fevziu: Po nëse Parlamenti ju shkarkon?

Presidenti Meta: Tani nuk po iu jap përgjigje nëse Parlamenti çmendet, sepse nuk është se s’ka pasur edhe momente të tilla. Por duhet të jeni të qartë që dhe në rast se Parlamenti e ka këtë dëshirë, nuk është thjeshtë vetëm te Gjykata Kushtetuese, por Parlamenti ka vetëm 82 vota plotësisht legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Referohuni deklaratës sime në Pogradec, sepse ju mendoni ndonjëherë se kur ngre tonin humbas kontrollin, por nuk është kështu. Dua thjesht të thyej ndonjë herë monotoninë.

Gazetari: Zoti Meta a e keni menduar ndonjëherë shpërndarjen e Parlamentit dhe a e keni këtë kompetencë?

Presidenti Meta: Unë do bëj çdo gjë që vendi të normalizohet sa më shpejt, siç e kam bërë në mënyrë të vazhdueshme. Unë do të sillem gjithmonë si President i Republikës së Shqipërisë, si një shtet i së drejtës dhe jo si një shtet i propagandës.

Gazetari: Që përfshin edhe shpërndarjen e Parlamentit? Se ju nuk e quajtët legjitim vetëm 82 vota ka, thatë.

Presidenti Meta: Unë ju thashë që 82 vota janë legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës. Kaq! Në qoftë se me 82 vota legjitime mjafton gjykimi i Presidentit të Republikës, le ta bëjnë kur të duan. Por tjetra, keni parasysh që unë jam betuar për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo do të thotë që unë jo vetëm që do sillem si President i Republikës së Shqipërisë, por në fund fare dhe si Presidenti i të gjithë shqiptarëve, jo shqipfolësve.

Gazetari: Një pyetje po dua përgjigje të sinqertë. Shihe një herë kamerën tamam, a jeni penduar që i keni dhënë votat dhe u bashkuat me Ramën në 2013-n, dhe a ishte dështim bashkimi i votave me të?

Presidenti Meta: Duhet të keni parasysh se këto vendimmarrje, se kjo histori mund të diskutohet gjithmonë, a jeni penduar që keni bërë këtë gjë me Fatos Nanon, marrëveshjen me Berishën.

Unë nuk pendohem për gjërat që bëj, sepse ato duhet të vendosen në kontekstin e kohës, në kontekstin e rrethanave dhe a i kanë shërbyer vendit. Dhe unë mund t’iu them që të gjitha aktet e mia në të kaluarën i kanë shërbyer vendit. Edhe akti i 2001-shit kur u fituan zgjedhjet, dhe Fatos Nano donte të bëhej President me insistim me votat e “Dushkut”, dhe Parlamenti Europian tha që po u zgjidh kjo çështje kështu, pavarësisht se qeveria është legjitime, Presidenti duhet zgjedhur me konsensus unë dhashë dorëheqjen. Nuk pranova të bëhesha kryeministër apo qoftë dhe Kryetari i PS-së dhe Nano të bëhej President në mënyrë që të krijonte problem me opozitën dhe me Bashkimin Europian.

I thashë meqë do patjetër një detyrë kaq të lartë, bëhu ti kryeministër dhe President të bëhej një njeri për të cilën të binim dakord me opozitën, të vazhdojmë punën e integrimit europian, unë po bëhem Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër. Dhe kur formova LSI-në, pasi u binda që ishin shteruar të gjitha mundësitë për një situate demokratike në PS, dhe kam dhënë edhe dorëheqjen nga Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm.

Arsyet përsëri kanë qenë, se po tregohej një papërgjegjshmëri në atë kohë nga qeveria për integrimin në Bashkimin Europian, përsëri i bëra në shërbim të Shqipërisë se sollëm dhe një rrotacion paqësor në vitin 2005. Edhe në 2009-n, ku vendi u vendos në një krizë dhe pa votat e LSI-së nuk bëhej një qeveri dhe po të bashkohej LSI-ja dhe PS-në vetëm kriza do kishim, prapë i bëmë një gjë shumë të mirë Shqipërisë, dhe ndihmuam në procesin e integrimit europian.

Se statusi i vendit kandidat duhet të ishte marr që atëherë, por e bllokoi Edi Rama me atë historinë e Këshillit në qarkun e Fierit. Mori Shqipëria liberalizimin e vizave, u plotësuan me qindra dhe mijëra kritere. Në 2013-n prapë sjellja ka qenë shumë normale, jemi ndarë me Partinë Demokratike shumë normalisht kemi bërë një koalicion para zgjedhjeve tërësisht të moralshëm. Njerëzit e dinin që po të votohen këta do të qeverisin, po të mos na donin votonin prapë Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Dhe për dy vjet deri në zgjedhjet vendore vendi ka patur zhvillime pozitive, pastaj se çfarë ndodhi dhe si ndodhi, ky është një gjykim që u takon të tjerëve, por për mua është e qartë që ishte një plan i tij për fat të keq për të kapur gjithë institucionet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat