Vasili: Shifrat janë katastrofike! Shteti nuk paguan sigurimet shoqërore

Shqipëria

Vasili: Shifrat janë katastrofike! Shteti nuk paguan sigurimet shoqërore

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 12:20
Petrit Vasili

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili denoncon atë që e quan skandal të dimensioneve shumë kritike dhe që ka të bëjë me sigurimet shoqërore të punonjësve.

"Shifrat janë katastrofike. Shteti shqiptar ka sot 137 miliard lekë, apo rreth 110 milionë euro borxh sigurimeve shoqërore. Situata është akoma më skandaloze sepse 1107 institucione publike nuk paguajnë sigurimet shoqërore, pra grabisin punonjësit", shprehet Vasili.

Ai shton se reforma, të ashtuquajtura për të evituar punësimet e panevojshme, fiktive që rëndonin administratën dhe të cilat vetëm rëndonin bilancet ekonomike rezultuar të ishin të gjitha thjesht dhe vetëm demagogji partiake apo sebepe për të punësuar militantë, njerëz të afërm të partisë në pushtet pa pasur asnjë lidhje me reformat.

"Po ju jap vetëm një shembull të nderuar qytetarë. Përpara reformës të ashtuquajtur dhe të famshme territoriale dhe administrative kishim të punësuar në administratën e Bashkive dhe të Komunave 22 mijë punonjës. Mbas reformës, e cilado të synonte shkurtimin e këtyre vendeve paralele të panevojshme për ta reduktuar dhe për të kursyer mjaft para siç u tha në atë kohë, çfarë rezultoi nga 22 mijë punonjës që kishim në atë kohë, kemi 33 mijë e 500 punonjës në njësitë e reja të krijuara nga bashkitë e mëdha dhe sigurisht paratë për të punësuar këta mijëra e mijëra njerëz të pa nevojshëm që nuk ofrojnë as shërbime, që nuk ofrojnë asgjë, janë pikërisht nga fondi I sigurimeve shoqërore ku mijëra punonjës do të gdhinë një ditë e do të shikojnë sesa u mungojnë nga kontributet e tyre të ligjshme të cilat shteti nuk i ka derdhur", u shpreh Vasili.

Sipas tij, këto punësime pa fund, pa vlerë vihen re masivisht në drejtoritë e ujësjellësit të bashkive, këto bashki dhe në mënyrë të veçantë duke filluar nga bashkia e Tiranës për të cilat tha se rriten në mënyrë të jashtë zakonshme të turpshme, çmimi i ujit si asnjë herë, nuk ofruan asnjë pikë uji më shumë për qytetarët as një shërbim më të mirë, përkundrazi ne kemi një gjendje dramatike të ujit duke filluar që nga Tirana, por prodhuan mijëra punonjës më shumë dhe paratë në vend që të paguheshin sigurimet shoqërore, paguheshin investimet për ujësjellësit u kthyen në punësime militantësh partiake.

Ai tha se është dramatike që ky borxh kaq i madh është akumuluar dhe rënduar që mbas vitit 2014 e këtej dhe se me fondin e marrë nga qeveria në fund të viteve 2013, 2014 u likuiduan ato pak borxhe që u gjetën që ishin rreth 3 miliardë, ndërkohë që sot borxhi shkon tek 14 miliardë. "Në atë kohë socialistët, ministrat e asaj kohe, konkretisht ish-ministri i asaj kohe Erjon Veliaj që sot i punëson ujësjellësit e Tiranës e nga do dhe e ka çuar me mijëra e mijëra ushtrinë bashkiake deklaronin që ishte tragjedi që rreth 1300 institucione nuk paguanin dhe kishin akumuluar një borxh që ishte 5 herë më i vogël se borxhi që akumuluan po vetë para pak kohësh. Vetëm në vitin 2018, borxhi është rritur me 2.7 miliard. Gati 18% gjithsej sasie. Pra bëhet fjalë për miliarda e miliarda të cilat shkojnë për të punësuar radhën e parazitëve të rilindjes të cilët paguhen vetëm për të bërë sekserllëkun e votave ditën e votave. Por sa janë borxhlit? Të nderuar qytetarë këtu kam një listë tepër të gjatë me 1007 subjekte, ku ndërmjet subjekteve është edhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë", shprehet Vasili.

Ai denoncoi shpërdorimin e miliardave për mashtrim, për llogari dhe për hesape partiake, në dëm duke filluar jo vetëm nga shërbimet e qytetarëve por në radhë të parë dhe mbi të gjitha mbi atë që është jetike, mbi sigurimet shoqërore dhe mbi pensionin e ardhshëm të qytetarëve.

Në këtë linjë tha se shumë punonjës me shumë të drejtë, nuk e dinë që shteti i tyre nuk ja paguan sigurimet shoqërore dhe as nuk mund t’iu shkojë në mëndje që ta verifikojnë a e ka paguar shteti këtë gjë.

"Kjo ndodh thash në këshillin e ministrave, po ndodh edhe në ministrinë e Mbrojtjes, po ndodh Në Ministrinë e Financave, po ndodh në ministrinë e Brendshme, po ministrinë e Kulturës, në Autoritetin rrugor, qendra shëndetësore, drejtori, Bashki, një aradhë pa fund. Dhe ka një paradoks shumë të madh të nderur qytetarë, është shumë më i rregullt siç rezultojnë bilancet ekonomikë po të vetë shtetit jo të opozitës, që është shumë më i rregullt dhe më rigoroz në pagesa privati me sigurime shoqërore, dhe është një shpërdorues, një hajdut i madh shteti që e ka akumuluar këtë borxh, i cili është një borxh i fshehur që u shtohet borxheve qindra milionëshe që i ka tashmë dihen, një borxh që kalon 110 milionë euro", tha ai.

Vasili nënvizoi se qytetarët duhet të binden përgjithmonë që kemi një qeveri që vetëm shpërdoron, grabit, vjedh dhe që nuk ka ndërmend për asnjë çast kujdesin për qytetarët, për punën e tyre, për pleqërinë e tyre, për pensionet e tyre, por shkatërrues i çdo lloj skeme normale, i çdo lloj perspektive dhe po përgatit në mënyre tragjike kolapsin e ardhshëm të skemës së pensioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat