Psikiatrja: Ankthi është normal, duhet t’i rikthehemi gjërave të përditshme

Shqipëria

Psikiatrja: Ankthi është normal, duhet t’i rikthehemi gjërave të përditshme

Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 09:15
Arjana Rreli

Psikiatrja Arjana Rreli,dha disa këshilla mbi atë që duhet të bëjmë pas tërmetit të fortë që goditi vendin tonë përpara 3 ditësh dhe pasgoditjeve që kanë frikësuar njerëzit.

“Kemi kaluar një situatë anormale dhe mekanizmat tanë ishin të papërgatitur. Tërmeti erdhi në mes të natës dhe ishte më i fortë pas atij të shtatorit. Ankthi është normal, ka shpërqendrim, harresa, përzierje, bie motivi dhe iniciativa, por jo që të ulen në nivelet e depresionit”, tha Rreli.

Sipas saj, “duhet t’i rikthehemi gjërave tona të përditshme, t’i bëjmë si më parë”.

“Kjo do të shërbejë të kanalizojmë energjitë tona pozitive dhe të zhvendosim vëmendjen tonë ndaj një të keqeje që nuk e parashikojmë dot. Këtë që përjetuam do ta kujtojmë për shumë kohë, por është sërish koha ajo që do të shërojë traumën”, theksoi psikiatrja.

Në lidhje me mënyrën se si duhet të sillemi me fëmijët, Rreli u shpreh: “Fëmijët kanë fantazi të zhvilluar dhe duhen bashkuar me shokët dhe shoqet, por duke monitoruar bisedat e tyre, pasi mund të gjenerojnë ankth te njëri-tjetri duke i treguar me ekstremin e emocioneve negative ndjenjat e tyre. Duhen zhvilluar aktivitete argëtuese dhe fizike që të lodhen dhe të shkarkojnë energjinë negative”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat