KLP kërkon edhe dy prokurorë për SPAK, ja kriteret

Shqipëria

KLP kërkon edhe dy prokurorë për SPAK, ja kriteret

Më: 28 janar 2020 Në ora: 14:10
Foto

Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpall sot fillimin e procedurave për plotësimin e 2 pozicioneve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ju bën thirrje që të kandidojnë të gjithë prokurorët që plotësojnë kushtet e mëposhtme:

- Kanë ushtruar funksionin si prokuror për jo më pak se 10 vjet;

- Nuk kanë masa disiplinore në fuqi;

- Japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake

- Sigurojnë pëlqimin e anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake;

- Nuk janë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë;

Pas dorëzimit të aplikimeve, kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë dhe të figurës.

Kandidatët që e kanë kaluar me sukses vetting-un përpara datës së dorëzimit të aplikimeve, konsiderohen se e plotësojnë këtë kusht. Aplikimet e kandidatëve që nuk e kanë kaluar ende vetting-un i përcillen menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për kryerjen e verifikimeve të parashikuara nga ligji i vetting.

Në rast se numri i kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore është më i madh se numri i vendeve

vakante, Këshilli do të shqyrtojë kandidimet dhe do të vlerësojë / rendisë kandidatët

përkundrejt kritereve të mëposhtëme:

- Rezultatet e kandidatëve në 2 vlerësimet e fundit të performancës;

- Përvoja e kandidatëve në pozicionet e komanduara;

- Përvoja e kandidatëve në hetimin e krimit ekonomik dhe krimit të organizuar (pranë Njësive të Përbashkëta Hetimore / NJPH, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Drejtorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Përgjithshme/ PP);

- Kohëzgjatja e shërbimit në NJPH, Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ose Drejtorinë kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik në PP.

 - Vjetërsia si prokuror;

Kandidatët që plotësojnë kushtet e sipërpërmendura i paraqesin kërkesat e tyre jo më vonë se 15 ditë kalendarike nga data e shpalljes së thirrjes në faqen e internetit të Këshillit.

Krahas kërkesës për kandidim, kandidatët dorëzojnë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dokumentacionin e mëposhtëm:

1. Një letër motivimi (jo më shumë se 3 faqe A4) ku tregojnë sukseset e tyre më të spikatura në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe arsyet e kandidimit;

2. Kopje e diplomës së studimeve në drejtësi dhe e listës së notave;

3. Kopje e diplomës së studimeve në Shkollën e Magjistraturës dhe e listës së notave (nqs ka);

4. Kopje e Dekretit të Presidentit për emërimin si Prokuror;

5. Kopje e Urdhërit të Prokurorit të Përgjithshëm për caktimin si prokuror në Njësinë

e Përbashkët Hetimore, Prokurorinë e Krimeve të Rënda ose Drejtorinë kundër

Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Përgjithshme;

6. Kopje të 2 akteve të fundit të vlerësimit të punës dhe aftësive profesionale e morale si prokuror (nqs ka);

7. Vërtetim nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme që tregon se kandidati nuk ka masë dispilinore në fuqi.

8. Formularët e parashikuar në shtojcat B1 dhe B3 të ligjit 95/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” të plotësuar rregullisht;

Aplikimet do të dorëzohen në formë elektronike në adresën: [email protected] (në këtë rast të gjitha dokumentat e sipërpërmendura duhet të jenë të skanuara) ose në formë fizike në adresën: Këshilli i Lartë i Prokurorisë, rruga ”Qemal Stafa” Nr 1, godina e Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat