Edhe deputetët PS kundër nismës së Lleshajt: Nuk ka punë të futet ministri tek pergjimet - Bota Sot
Edhe deputetët PS kundër nismës së Lleshajt: Nuk ka punë të futet ministri tek pergjimet

Shqipëria

Edhe deputetët PS kundër nismës së Lleshajt: Nuk ka punë të futet ministri tek pergjimet

Më: 28 maj 2020 Në ora: 08:05
Sandër Lleshaj

Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK kanë dorëzuar në Parlament mendimin e tyre kundër projektligjit që i jep të drejtën e përgjimit policisë së shtetit pa autorizim nga gjykata.  Në rekomandimin e përfaqësuesve të organit të akuzës thuhet se drafti bie ndesh me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale duke rrezikuar ti bëjë provat të papërdorshme. Një tjetër kundërshtim prokuroria ka edhe për formimin e komitetit të drejtuar nga Sandër Lleshaj që do të ketë në përbërje edhe kreun e SPAK dhe Prokurorin e Përgjithshëm. 

Kundër përgjimeve nga policia pa lejen e prokurorisë kanë qenë kundër edhe deputetë të maxhorancës, anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Në mbledhjen e datës 20 maj, deputeti Xhemal Qefalia ka debatuar me Sandër Lleshaj duke i kujtuar se ministri i Brendshëm nuk ka punë me përgjimet.

Ministri Lleshaj tha se përgjigjet janë e vetmja mënyrë për të parandaluar krimin ndërkohë që përgjimet po bëhen nga kushdo.

Pjese nga debati 

Xhemal Qefalia- A është menduar dhe a është biseduar me pjesën e organizatave, të cilat monitorojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, pasi ne këtu, me sa duket, po avancojmë vetëm me interesin për të luftuar krimin, por po kalojmë duke shkelur disa nga liritë dhe të drejtat e njeriut?

T’i rrisësh dhe t’i krijosh mundësinë një punonjësi policie, çfarëdo grade të ketë ky individ, për të gjurmuar apo për të përgjuar në ambiente publike apo në përgjime ambientale, me duket sikur kemi të bëjmë me kalim të kompetencave të këtij organi.

Ndaj, jam shumë i bindur që edhe organizatat e tjera, të cilat monitorojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, do të kenë njëfarë ndjeshmërie dhe kërkojnë, zoti Ministër, e kërkoj edhe unë, përgjigjen e pyetjes: a mendoni që vërtet këtu po shkelen disa nga liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat i privojnë këto liri, që janë përcaktuar në Kushtetutë, por edhe në organet e dokumentet që ka firmosur Shqipëria për liritë dhe të drejtat e njeriut?

Sandër Lleshaj :  Hetimi policor është hetim që synon parandalimin. Si mund të bëhet parandalimi i një vepër penale nëse policia nuk vepron?! Në thelb hetimi policor i shërben parandalimit dhe në thelb hetimi parandalues nuk është atribut i prokurorisë. Edhe ne  12 legjislacionin shqiptar, edhe sot, prokuroria ka hetimin procedural, i cili pastaj përfundon me akuzë dhe ndjekje penale. Hetimi policor, i cili nuk synon të vijohet me një hetim procedural dhe të përfundohet me akuzë, por synon të parandalojë kryerjen e krimit, është atribut ekskluziv i policisë.

Nuk ka asnjë kontradiktë. Për këtë jam konsultuar me të gjithë juristët dhe me partnerët më të mirë që kemi. Policisë shqiptare dhe legjislacionit shqiptar i mungon ky atribut për të bërë hetim policor, pra për të bërë atë që duhet të bëjë. Sigurisht, ne kemi kontribuar përmes shpikjeve tipike shqiptare, edhe përmes konceptit të Policisë Gjyqësore, të cilën e kemi krijuar si një entitet të tretë, pra kemi prokurori, kemi krijuar një koncept të Policisë Gjyqësore dhe kemi një Polici të Shtetit. Në fakt, ky është një diskutim tjetër që nuk ka vend për diskutim sot, por çështja e Policisë Gjyqësore është unike në Shqipëri, sepse e gjithë Policia Kriminale është Polici Gjyqësore në vendet normale dhe, me aq sa di unë, mund të kemi maksimumi një vend në Bashkimin Europian që e ka konceptin e Policisë Gjyqësore, siç e kemi krijuar ne

. Në fakt, Policia e Shtetit, specifikisht Policia Kriminale, është e gjitha Polici Gjyqësore, sepse të gjithë pjesëtarët e saj janë oficerë të Policisë Gjyqësore dhe kryejnë këtë funksion. Por ka dy gjëra: hetimin procedural e kryen nën udhëheqjen e prokurorit përkatës, kurse hetimi policor është ekskluzivitet i Policisë së Shtetit, pra parandalimi është ekskluzivitet i Policisë së Shtetit. Që ta kryejë këtë funksion policia ligji synon t’i japë një instrument, pra të fusim si koncept një përkufizim që nuk e kemi. Këtë e kam në parim. Për sa i përket balancës së pushteteve, përsëri meriton diskutim të madh se cilat janë pushtetet.

 Kam një pyetje: në cilin pushtet e konsideroni ju prokurorinë? Pjesë e cilit pushtet është?! Pushtetet i kemi gjyqësore, ekzekutive dhe legjislative. Besoj se jeni të qartë që në shumë vende të botës demokratike prokuroria është plotësisht pjesë e ekzekutivit. Besoj se e dini që në shumë vende në Amerikë dhe në Europë ministri i Drejtësisë e ka në varësi të plotë Prokurorin e Përgjithshëm, kurse në Shqipëri është zgjedhur një model tjetër, por kjo nuk do të thotë se ne: Së pari, ta lëmë policinë pa instrumentet autentike për kryerjen e misionit të saj, që është parandalimi.

Së dyti, në qoftë se ne i japim kompetencat e munguara policisë, nuk kuptoj se çfarë lidhje ka kjo me balancat e pushtetit, pra në qoftë se polica aftësohet për të kryer detyrën e saj kushtetuese.
 

Në lidhje me çështjen që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, kam unë një pyetje: çfarë shqetësimi perceptoni ju, zoti Qefalia, në këtë aspekt? Në vend të portretit, shikoj një X në ekranin tim. Pra, këtu janë bërë dy gjëra: së pari, i janë dhënë policisë disa kompetenca që thjesht janë modifikuar, janë rregulluar, madje edhe janë reduktuar në kuptimin e afateve. Ashtu siç ju thashë, në qoftë se afati ishte  13 i pakufishëm (përgjimin ambiental Policia e Shtetit e bën edhe sot Policia e Shtetit; kemi edhe ndryshimin e autoritetit të këtij përgjimi), ne e kemi reduktuar kohën e përgjimit dhe ia kemi dhënë autoritetin një drejtori të policisë, i cili është oficer i Policisë Gjyqësore. 

Edhe një herë, flasim për përgjimin ambiental dhe, në fakt, puna e të drejtave të njeriut është me interes të madh. Të nderuar deputetë, a ju ka bërë përshtypje që në mediet e Shqipërisë keni çdo ditë përgjime ambientale të kryera nga përfaqësues të medies që hyjnë deri në dhomën e gjumit? Besoj se i keni parë! Këto përgjime në ambiente publike dhe në ambiente private bëhen nga media dhe nga kushdo që ka një celular dhe një kamerë, por janë jashtë çdolloj penalizmi. Ne po themi që t’i rregullojmë, t’i japim policisë një kompetencë që të ndjekë, në funksion të parandalimit, një person. Në qoftë se policia i vihet pas një personi, për të cilin ka thënë se do të kryejë një atentat sot...

Sandër Lleshaj – Policia ka nevojë për një instrument që të bëjë parandalimin e krimit. Po ju them një situatë: sot policia merr njoftim që po përgatitet të kryhet një akt terrorist në një vend të caktuar, afrohet, identifikon personin, e ndjek, e filmon, e fotografon në funksion të parandalimit. Për këtë arsye nuk ka nevojë që të marrë një miratim te prokurori, sepse këtë miratim e merr te drejtuesi i policisë përkatëse dhe kryen punën e saj. Çfarë të drejtash njeriu do të preken nga kjo? E thashë, besoj se e dëgjuat, që sot përgjim ambiental në Shqipëri bëjnë të gjitha mediet.

Xhemal Qefalia – Zoti Ministër, të gjithë shkelin ligjin. 

Ermonela Felaj – Ju lutem, mos ndërhyni pa leje! Të mbarojë zoti ministër, më pas kolegët do të kenë të drejtë të flasin.  

Sandër Lleshaj – Sot kryhet nga të gjithë ata që kanë mundësi ta bëjnë atë, pra flas për përgjimin ambiental, në autobusë, në shkollë, në spitale dhe deri në mjedise private... 

Xhemal Qefalia – Të gjithë shkelin ligjin.

Sandër Lleshaj: Çfarë ndodh? Pas këtyre përgjimeve, që zoti Qefalia i quan të paligjshme, ne të gjithë, shoqëria, institucionet, veprimet i marrim të mirëqena, shkarkojmë njerëz nga puna, i procedojmë penalisht e të tjera me radhë. Këtu po flasim për diçka krejt tjetër dhe në një nivel shumë më të zbehtë t’i japim policisë një kompetencë që e ka çdo polici, e cila do të parandalojë krimin. Ju vura para një situate të caktuar: sot polica është para një informacioni që mund të kryhet një akt terrorist, vihet në ndjekje të një personi, do ta filmojë, apo jo; do ta ndjekë, apo jo; do ta shikojë, apo jo? Edhe shikimi me sy të lirë përgjim është, pra nuk ka rëndësi nëse e shikon me kamerë, me dylbi në një vëzhgim natën apo e shikon me diçka tjetër. Kjo është një kompetencë, e cila policisë i duhet që ta ketë, por që ta ushtrojë efektivisht, duhet ta ketë në këtë mënyrë. Kontrolli se si zbatohet kjo i është lënë Prokurorit të Përgjithshëm, drejtuesit të SPAK-ut dhe ministrit të Brendshëm. Janë tri struktura  14 kontrolli për të parë se si kjo kompetencë ushtrohet dhe kur ajo shkelet. Sinqerisht, vetëm në qoftë se do t’i paragjykojmë veprimet e Policisë e Shtetit, por unë nuk shikoj asnjë mundësi abuzimi me këtë kompetencë që jepet. Në qoftë se ju e shikoni, është e drejta juaj. Unë nuk e shikoj. Ne e kemi diskutuar edhe me ekspertët që kemi listuar dhe nuk e shohim mundësinë që policia të mund të abuzojë, për arsye se bëhet fjalë për diçka, që de facto kryhet nga kushdo në Shqipëri, ose mund të kryhet, thjesht në duam që ajo kompetencë të ushtrohet në mënyrë të ligjshme. Kemi vendosur afate të reduktuara të kohës së përdorimit të saj dhe kemi vendosur një mekanizëm kontrolli të trefishtë: ministri, Prokurori i Përgjithshëm dhe prokurori i SPAK-ut. Çfarë të bëjmë tjetër?

Xhemal Qefalia – Zoti Ministër, do të doja të sillja në vëmendje se, pavarësisht shembujve që ju sillni se përgjon media, përgjojnë individë apo kushdo, kushdo që përgjon, në kundërshtim me ligjin, pa marrë miratimin paraprak të prokurorit, ashtu siç është në ligj, është në shkelje të ligjit. Nëse ju, si polici, vazhdoni ta bëni këtë, shkelni ligjin. Tani që kërkoni ta vendosni në ligj, zoti ministër, mendoj se i ul vlerat e një shteti normal. Ministri nuk duhet të ketë dijeni se kush po përgjohet, ministri është person politik dhe u shërben politikave që ndjek ministria. Organet kompetente, që konsiderohen të pavarura, si: SPAK-u dhe Prokuroria, janë në ndjekje të krimit. Nuk ka punë të futet ministri, vetëm se është ministër, të kërkojë informacion për një individ që po përgjohet te Stacioni i Trenit apo në bulevard. Kështu që, unë mendoj se ky element, zonja kryetare, duhet të shihet me qetësi dhe duhet mbajtur në konsideratë, pasi heqja e kësaj mundësie, duke krijuar gjëra të tilla, do të ketë ndikim shumë të madh në shoqërinë civile dhe tek organizatat, të cilat monitorojnë liritë dhe të drejtat e njeriut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat