“Viktimë” e shpifjes në media/ Si e lidhën Muhamed Veliun me terroristët në Londër: Fantazia e shkrimit ishte e tmerrshme

Shqipëria

“Viktimë” e shpifjes në media/ Si e lidhën Muhamed Veliun me terroristët në Londër: Fantazia e shkrimit ishte e tmerrshme

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 13:37
Muhamed Veliu

Në puntatën e sotme të emisionit “Shqipëria Live” është diskutuar rreth shpifjeve në mediave. I pari që ishte i ftuar në studio ishte gazetari i njohur i Top Channel, Muhamed Veliu, i cili tregoi 3 rastet kur ka qenë “viktimë” e shpifjeve të mediave.

I pari rast është i datës 20 korrik i vitit 2005, kur “Bota Sot” shkruan një artikull që Muhamed Veliu ishte i lidhur me disa terroristë në Londër. Veliu tregon se në atë kohë ishte korrespondent i gazetës shqiptare dhe jetonte në Londër.

“Isha me pushime në Shqipëri kur është shkruar shkrimi. Më merr korrespondenti në telefon e më thotë të vija në Tiranë. Çështja kishte shkuar deri te Departamenti i Shtetit. Artikulli ishte shkruar nga Rudolf Marku, ish-deputet i Partisë Demokratike, i cili thoshte se i ishte referuar “Daily Mail”. Në shkrim thuhej se unë do takoja terroristët me ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Kastriot Islamin. Këtë lajm Marku e kishte dërguar edhe në një media tjetër, por kishte kontrolluar për emrin tim te “Daily Mail” dhe nuk ka rezultuar asgjë. Si pasojë nuk e ka publikuar”, tregon Veliu.

Gazetari i njohur shprehet se kur mori vesh se Departamenti i Shtetit kishte kërkuar ta takonte, menjëherë mendja i kishte shkuar te Guantanama. “Në atë periudhë amerikanët, çdo person të lidhur me terrorizmin e dërgonin atje, prandaj edhe unë mendova atë skenar”, tha ai.

Më pas Veliu tregon se ka shkuar në Londër, në një kompani avokatie që merret me çështjet e shpifjeve në media. “Aty më thanë se ishte e sigurt që do e fitoja këtë gjyq. Janë gjykatës që merren pikërisht me çështjet e shpifjeve. Erdhi botuesi i gazetës “Bota Sot”, Xhevdet Mazrekaj, i cili tha se nuk kuptonte shumë anglisht dhe se kishte pak kohë. Seanca u shty për pas dy javësh, ku ai nuk u paraqit. Gjyqtari mori vendim për ta nisur gjyqin”, rrëfen gazetari.

Muhamedi tregon se në vendimin prej 30 faqesh thuhet se nuk ka dyshim se akuzat ndaj të dyshuarit janë budallallëk.

“Është një shkrim fantazi i Rudolf Markut. Madje Rudolfi ka marrë një gazetar imagjinar për t’u referuar. Unë nuk kam patur asnjë konflikt me ish-deputetin. Kam patur vetëm një kontakt, që e kam marrë në telefon për një prononcim, pasi dikush e kishte akuzuar për diçka. Fantazia e këtij shkrimi është shumë e rëndë, e tmerrshme”, tha Veliu.

Ndërkohë për këtë shpifje është marrë vendimi që gazetari të dëmshpërblehej me 175 mijë paund, shifër rekord, duke marrë në konsideratë nivelin e shpifjes.

“Gjyaktësi nuk është përballur ndonjëherë me këtë lloj akuze dhe nuk do të përballet ndonjëherë. Nuk e kam marrë as sot dëmshpërblimin e fituar nga gjyqi për shpifje. Qëllimi ishte që të zbardhja të vërtetën”, tha Veliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat