I moshuari me koronavirus hidhet nga pallati sapo doli nga spitali

Shqipëria

I moshuari me koronavirus hidhet nga pallati sapo doli nga spitali

Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 21:01
Ilustrim

I jep fund jetës një tjetër i sëmurë me covid në vendin tonë.  77-vjeçari Hekuran Korça është hedhur nga ballkoni i shtëpisë  në katin e tretë të këtij pallati që shihni në pamje, në zonën  e Shkozës.  Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës.  Ai u dërgua në spitalin e traumës por pas disa orësh nuk mundi t’i mbijetojë plagëve në trup.

ABC mëson se para një jave, ai kishte dalë pozitiv me koronavirus. I moshuari u shtrua në spitalin infektiv ku iu nënshtrua terapisë mjekësore. Ditën e diell 77-vjeçari  iu nënshtrua sërish tamponit. Sipas mjekëve ai ishte negativizuar. Pas  kësaj përgjigje, mesditën e së hënës, Hekuran Korça la spitalin. Por vetëm pak orë më pas, ai ndërmori aktin ekstrem.

I moshuari, babai i 5 fëmijëve jetonte vetëm në banesë. Jashtë kamerave, një prej fqinjëve tregon gjendjen e 77-vjeçarit kur mbërriti në banesë nga infektivi. “E sollën atë ditë nga spitali. Edhe bombolën e oksigjenit e kishte, e kishin marrë. 4-5 ditë kishte në spital. Atë pikëpyetje kemi edhe ne. Si e nxori mjekësia nga spitali kur ai ishte pa qejf. Unë kam kontakt me nusen edhe më tha që babai nuk është keq që u rrëzua, se u rrëzua butë nëpër pemë, por ka probleme me Covid-in” tha njëri. Fqinjët shprehen të shqetësuar për përhapjen e virusit në pallatin e tyre. “Kemi plot këtu me covid, çfarë të bëjmë. Vëmë maskën edhe ja”.

Një muaj më parë, Hekuran Korça kishte humbur pas një sëmundje të rëndë një prej vajzave që jetonte në Greqi. Kjo fatkeqësi por dhe trauma e shkaktuar nga covid kanë qenë shkaqet që kanë ndikuar në rëndimin e gjendjes së tij psikologjike, pas së cilës ndërmori dhe aktin ekstrem. Gjatë kohës së pandemisë, 3 pacientë me koronavirus u hodhën nga lartësia nga spitali Shefqet Ndroqi, duke ndërruar jetë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat