Ish-kreu i ISHP jep alarmin: Shumë të infektuar me Covid po mjekohen gabim, spitalet në kolaps

Shqipëria

Ish-kreu i ISHP jep alarmin: Shumë të infektuar me Covid po mjekohen gabim, spitalet në kolaps

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 07:14
Besnik Jakaj

Ish-drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Besnik Jakaj, thotë se, shumica e të infektuarve me COVID-19 në vendin tonë e kalojnë virusin pa shenja, por ai thotë se problem mbeten personat më imunitet të dobët.

Besnik Jakaj foli sot dhe për një panik joreal gjë që ndikon për keq pasi ul imunitetin tek njerëzit.

“Personat vulnerabël, ata që janë më të dobët, stina e vjeshtës i ngarkon dhe me virozat e tjera që u mbivendosen”,  tha ai.

Gjithashtu Jakaj tha se, qeveria nuk e ka menaxhuar mirë situatën e pandemisë duke thënë se një nga gabimet ishte mospërfshirja e mjekut të familjes dhe mostestimi masiv.

“Ka një keqmenaxhim. Në mënyrë të vazhdueshme qeveria ka bërë më shumë propagandë dhe ka bërë menaxhim të centralizuar. U vonua përfshirja e mjekut të familjes. Nuk ka pasur testim masiv, por kjo do të sillte ndërprerjen e përhapjes masive”, shtoi Jakaj.

Ish-kreu i ISHP-së tha se kemi kolaps spitalor sa i takon trajtimit të pacientëve duke theksuar se nuk është vetëm çështje shtretërish.

“Ka shkuar në një kolaps në kuptimin e plotë sistemi spitalor sepse nuk mjaftojnë spitalet covid-1, covid-2 dhe covid-3, nuk është çështje shtretërish, por është çështje menaxhimi.

Trajtimi i pacientëve në spitalet rajonale nuk do të krijonte këtë hinkë në spitalet covid të Tiranës dhe nuk do të krijonte këtë panik në popullatë, me njerëz që presin me orë të tëra në ambulancë. E gjitha është një keqmenaxhim”, tha z. Jakaj.

Ai shprehu shqetësim edhe për personat që po mjekohen në kushtet e shtëpisë pasi tha se po trajtohen vetëm përmes komunikimit me telefonata dhe whatsapp.

“Ka shumë vetë që janë në oksigjenoterapi në kushte shtëpie, por këtë gjë duhet ta monitorojë mjeku. Por në të vërtetë, janë qytetarët që po vetërajtohen me këtë terapi", tha ish-drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, me profesion mjek.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat