Trajtimi i pacientëve me COVID-19 në shtëpi/ Mjeku i familjes, Artan Bitri: Ndjekje e përditshme, ja terapia që këshillojmë

Shqipëria

Trajtimi i pacientëve me COVID-19 në shtëpi/ Mjeku i familjes, Artan Bitri: Ndjekje e përditshme, ja terapia që këshillojmë

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 17:00
Artan Bitri

Simptomat e COVID-19 dhe të gripit stinor në gjykimin e mjekëve dhe në praktikën e tyre të përditshme janë të ngjashme dhe konsistojnë në  temperaturë, rrufë, dhimbje fyti dhe lodhje.

Mjeku i familjes në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, Artan Bitri shpjegoi sot për ATSH-në protokollin e trajtimit të pacientëve me COVID-19 nga mjekët e familjes të cilët ndiqen deri në momentin kur ka përkeqësim të gjendjes dhe referohen tek Urgjenca.

Detyra e parë e mjekut të familjes është përballja me simptomat e para, pasi në këtë stinë ka edhe viroza të tjera në qarkullim.

“Tek COVID-19 më shumë mbizotëron lodhja, që është tipike e këtij virusi, si dhe djersët dhe një parehati e përgjithshme që nuk kalon pavarësisht kalimit të ditëve. Kur pacientët ndiejnë këto shqetësime duhet patjetër t’i drejtohen mjekut të familjes, për të marrë këshilla ose mjekim në rastet kur shenjat apo gjendja është e lehtë për t’u mjekuar në shtëpi, ndërsa në rastet më të rënda mjeku i familjes rekomandon trajtimin spitalor”, nënvizon Bitri.

Ai i ndan pacientët për të cilët kujdesen mjekët e familjes në dy grupe, në ato asimptomatikë, për të cilët këshilla e vetme është izolimi për 14 ditë në shtëpi dhe ata që kanë simptoma të lehta.

“Pacientëve me simptoma të lehta iu japim këshilla të përditshme dhe nëse mund të rëndohet gjendja shëndetësore lajmërohet 127 për të marrë një trajtim të specializuar”, – shtoi ai.

Lidhur me mjekimin që rekomandon mjeku i familjes, doktor Bitri sqaron se “terapia e COVID-19 është terapi e larmishme, që varion në bazë të simptomave që pacienti shfaq, sepse ka pacientë që nuk shfaqin simptoma dhe ka pacientë që kanë simptoma të lehta ose të konsideruar dhe deri të rënda, që kërkojnë trajtim spitalor”.

“Në bazë të simptomologjisë ne i trajtojmë pacientët me terapi vitaminash, që fillon me vitaminën C deri në 2 mijë miligramë në ditë, vitaminë D, 2 mijë miligramë në ditë, zink 1-2 tableta në ditë. Në rast se pas 2-3 ditësh fillon e ndërlikohet situata shëndetësore e pacientit, fillojmë përdorimin e antibiotikut, holluesin e gjakut dhe terapinë me kortizon nëse pacienti ka pasur komplikacione me pneumoni”, – nënvizon doktor Bitri.

I pyetur se çfarë këshillash i rekomandojnë pacientëve me COVID-19, që e kalojnë këtë virus në izolim në shtëpi, mjeku Bitri sqaron se “izolimi i një pacienti me Covid në shtëpi është gjëja më e mirë që mund të bëjë, sepse ul shkallën e infeksionit për njerëzit që ka kontakte, si dhe ul shkallën e komplikacioneve të sëmundjes”.

“Në dietën ushqimore ditore i këshillojmë pacientëve përdorimin e lëngjeve, ushqim të mirë duke përfshirë edhe frutat. Elektrolitet janë një këshillë e mirë, sepse kompensojnë edhe djersitjen, edhe mjekimin e rregullt sipas simptomave që ka pacienti”, – shtoi mjeku Bitri.

Ndërsa për menaxhimin e ndjekjes në kushtet e pandemisë së pacientëve që kanë sëmundje të tjera mjeku Bitri thotë se kjo është pak e vështirë si për mjekët e familjes, dhe ata specialistë.

“Deri në momentin që pacienti është me Covid, por nuk ka komplikacione të rënda trajtohet në shtëpi duke komunikuar me mjekun e familjes, ku përveç terapisë me vitamina, lëngje e antibiotikë, i jepet edhe këshillimi psikologjik që ta kalojë sëmundjen më mirë”, – tha mjeku Bitri.

Mjeku Bitri shprehet se “infermierët shkojnë edhe në shtëpitë e pacientëve ku bëjnë injeksionet që kërkojnë mjekët kuptohet duke marrë masat kundrejt infeksionit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat