Shqipëri: Izolimi nga pandemia shtoi dhunën në familje

Shqipëria

Shqipëri: Izolimi nga pandemia shtoi dhunën në familje

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 20:23
Estela Bulku

Në Shqipëri, izolimi dhe kufizimet gjatë pandemisë Covid-19 sollën një shtim të dhunës në familje.

Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Tiranë vlerësuan se në këtë periudhë të vështirë për të gjithë, gratë dhe vajzat kanë nevojë për më shumë mbrojtje dhe shërbime, që trajtojnë dhunën ndaj tyre.

Përfaqësuesit dhe specialistët e Kombeve të Bashkuara po përpiqen të ndihmojnë shoqërinë shqiptare për të kapërcyer goditjet psikologjike në familje gjatë pandemisë dhe dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Pandemia COVID-19 ka rritur numrin e rasteve të raportuara të dhunës ndaj grave dhe vajzave, aq sa quhet nga ekspertët edhe si pandemi hije, ose pandemia e heshtur.

Sipas një vlerësimi gjinor të zhvilluar nga UN Women në Shqipëri, mbyllja nga pandemia ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen grave dhe vajzave.

Estela Bulku, drejtuese programi dhe zëvendës-shefe e UN Women Albania, thotë se pandemia ndikoi më shumë mbi gratë e vetëpunësuara, sepse u ndikuan te mungesa e të ardhurave, reduktimin e orëve të punës.

Sondazhi vërtetoi shtimin e dhunës në familje, madje nxori në pah edhe nevojën për të përmirësuar edhe ligjin për mbrojtjen nga dhuna në marrëdhëniet familjare.

Gjatë pandemisë është vënë re një rritje e theksuar e dhunës në familje, dhe distancimi social i kërkuar nga mjekësia, rriti rrezikun e dhunës me bazë gjinore, pasi viktimat izolohen nga shoqëria dhe e kanë të veshtirë të kërkojne ndihmë.

Gjatë kohës së pandemisë mësohet se janë shtuar ndjeshëm telefonatat nga gratë dhe vajzat në linjat e këshillimit, që kërkojnë ndihmë dhe mbështetje për problemet familjare.

Krahas varfërisë dhe shkaqeve të tjera, dhuna ndaj grave dhe vajzave buron edhe nga pabarazia gjinore.

Nga vit në vit në Shqipëri shënohet një rritje e numrit të raportimeve të dhunës tek institucionet shtetërore nga gratë dhe vajzat.

Kjo tregon një rritje të ndërgjegjësimit dhe njohjes së të drejtave. Ndaj kërkohet që shërbimet shumë-disiplinore të shtrihen në çdo skaj të vendit.

Sfida e përditshme është mos përgjigja e duhur për cdo rast, edhe pse shërbimet që ofrojnë mbrojtje dhe akses në drejtesi mund të mos funksionojnë si duhet për shkak të kufizimeve gjatë pandemisë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat