Dukati sërish në flakë, ndërhyjnë avionët grekë “Canadair”/ MM me plan emergjent për vendin

Shqipëria

Dukati sërish në flakë, ndërhyjnë avionët grekë “Canadair”/ MM me plan emergjent për vendin

Më: 22 korrik 2025 Në ora: 09:51
Foto ilustrim

Është riaktivizuar vatra e zjarrit në malin e Dukatit në Vlorë.

Burime bëjnë me dije se flakët janë përhapur sërish, ndërsa kanë ndërhyrë dy avionë “Canadair” të ardhur nga Greqia.

Kjo prej terrenit mjaft të vështirë dhe emergjencës në një zonë me rëndësi të lartë natyrore.

Pas kërkesës së vendit tonë pranë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Italia i çoi dy avionët zjarrfikës edhe në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës.

Kujtojmë se situata me zjarrin në Dukat ka qenë kritike prej 10 ditësh tanimë.

Zjarr në Rrëshen

Situata në Qarkun Lezhë aktualisht paraqitet e qetë, ndërsa vijon puna për fikjen e zjarrit në Shkopet. Në Milot, ka filluar operacioni me forcat bashkiake dhe 60 efektivët e Forcave të Armatosura. Në Mirditë raportohet se ka nisur puna për të vënë nën kontroli zjarrin në fshatin Lurth, njësia administrative Rrëshen. Në terren janë 2 mjete zjarrfikëse Pick-Up, 6 efektiv zjarrfikës, 5 të shërbimit pyjor, si dhe 20 veta të shërbimeve bashkiake, 6 të njësisë administrative.

Dishnicë, Gjirokastër – 50 forca në terren

Në Dishnicë po punohet intensivisht për shuarjen e një vatre zjarri me një perimetër të madh. Forcat zjarrfikëse janë ndarë në dy grupe operacionale për të izoluar flakët: njëri nga krahu pranë Kishës së Shën Marenës dhe tjetri nga ana e fshatit Barç.

Në zonën e zjarrit janë përfshirë sipërfaqe me pisha, ahishte, lajthi dhe humus. Megjithatë, mësohet se situata është nën kontroll.

Emergjencë kombëtare kundër zjarreve

Sot, 22 korrik, Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një plan masash duke marrë parasysh temperaturat e larta që sjellin zjarre masive në territorin e vendit. Është mbledhur Komiteti i Mbrojtjes Civile, me në fokus mobilizimin e të gjithë strukturave të emergjencës civile në nivel kombëtar.

Masat e menjëhershme të marra përfshijnë:

-Rritje e gatishmërisë së trupave vendore në dispozicion të prefektëve për reagim të shpejtë në çdo vatër zjarri.

-Monitorim i pandërprerë i territorit nga njësitë vendore për të siguruar raportim të menjëhershëm të çdo rreziku.

-Pozicionim strategjik i forcave në zonat me risk, për të reduktuar ndjeshëm kohën e ndërhyrjes.

-Ndërhyrje nga ajri, me përparësi për zonat e banuara dhe ato të mbrojtura me rëndësi natyrore.

– Bashkëpunim me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, për të siguruar kapacitete shtesë në rast emergjence të thelluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat