Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për keqpërdorim të administratës shtetërore, përdorim të burimeve financiare dhe ndikim të grupeve kriminale gjatë procesit zgjedhor.
Në një fjalim para mbështetësve të tij, Berisha ka pretenduar se opozita është përballur me atë që e cilësoi si “parti-shtet”, duke e krahasuar situatën në Shqipëri me zhvillimet në Tunizi gjatë periudhës së presidentit Kais Saied.
Ai ka pretenduar se gjatë vitit elektoral janë organizuar rreth 4.500 veprimtari për të ndikuar te votuesit, duke përmendur edhe aktivitetin Giro d’Italia në ditën e votimit.
Berisha ka akuzuar gjithashtu Ramën për përdorimin e administratës publike, punësimeve, lejeve të ndërtimit, certifikatave të pronësisë dhe lejeve të legalizimit për të siguruar vota.
Në fjalimin e tij, kreu i PD-së ka ngritur edhe akuza për përfshirjen e grupeve kriminale dhe të trafikut të drogës në procesin zgjedhor, duke e cilësuar kryeministrin me termin “Ramaduro”.
“U përballëm me një njeri, bosi i drogës, të cilin me të drejtë shtypi amerikan e quajti ‘Ramaduro’, i cili vetëm për vota dekretoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis në fushatë elektorale”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka përmendur edhe atë që e përshkroi si para të krimit të përdorura për të ndikuar te qytetarët gjatë zgjedhjeve, duke pretenduar se shumat e zbuluara në një rast të vetëm përbëjnë vetëm një pjesë të parave që, sipas tij, qarkullojnë në Shqipëri.
Berisha ka vlerësuar angazhimin e deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, duke thënë se ata kanë dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme qindra dosje dhe kanë bërë denoncime për, siç pretendon ai, vjedhje dhe abuzime.
Ai ka përmendur gjithashtu protestat e opozitës nga dhjetori deri në maj, duke i cilësuar ato si kundërshtim ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
“Narkoshteti i Edi Ramës, Edi Rama, organizata e tij kriminale janë të plagosur për vdekje”, ka deklaruar Berisha, duke shtuar se opozita, sipas tij, ka dëshmuar se në kushte normale zgjedhore do të kishte fituar zgjedhjet.