Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka drejtuar nga burgu i Fierit një letër publike me tone ironike ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në të cilën kërkon të operohet në Tiranë dhe thotë se kryeministri Edi Rama nuk merr më vendime. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u përgjigj se ndërhyrja do të bëhet të hënën në Fier dhe se nuk është urgjente.
Në letër, Veliaj shkruan se prej një muaji mbahet në izolim në IEVP Fier me një këmbë të thyer dhe se kërkesat e tij drejtuar kryeministrit, ministrit të Drejtësisë dhe drejtoreshës së Burgjeve nuk kanë marrë përgjigje. Ballukut i drejtohet si drejtuese politike e Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit.
“Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim”, shkruan Veliaj, duke thënë se kështu flitet në burg. Ai i kërkon Ballukut ta miratojë operimin në Tiranë, pranë mjekut dhe familjes së tij.
Burgjet: Operimi më 23 nëntor
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se, në koordinim me Spitalin Rajonal Memorial Fier, ndërhyrja kirurgjikale është planifikuar me prioritet për të hënën, 23 nëntor, sipas rekomandimit të shërbimit të ortopedisë së këtij spitali.
Sipas Balkanweb, pak pas publikimit të letrës u krye një kontroll në qelinë e Veliajt, ku nuk u gjet asnjë send i paligjshëm. “Lapsin dhe letrën nuk ma merrni dot”, reagoi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se jeta e Veliajt është në rrezik.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Deri më 28 tetor të këtij viti mbahej në paraburgimin e Durrësit.