Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi të enjten se opozita po punon për një koalicion të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës, i cili, sipas tij, do të jetë i ndryshëm nga çdo koalicion i krijuar në vend që nga viti 1991.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha tha se synohet bashkëpunimi me çdo forcë politike dhe grup interesi që e sheh qeverisjen e Ramës si problemin kryesor të vendit. Ai e përshkroi si “një bashkim duke ruajtur të gjitha identitetet” dhe shtoi se nuk përjashtohen as ata që platformën e kanë kundër PD-së.
Sipas Berishës, qëllimi është largimi i Ramës nga pushteti dhe formimi i një qeverie që garanton një kuadër të ri ligjor për zgjedhjet, sipas standardeve ndërkombëtare. Pas kësaj, tha ai, secila forcë duhet të testohet para qytetarëve, të cilët vendosin me votë.
Për reformën zgjedhore, kreu i PD-së tha se propozimet e paraqitura janë kërkesa të të gjithë spektrit opozitar, jo vetëm të partisë së tij.
Deklarata vjen dy javë pasi drejtuesit e tri partive më të reja opozitare, Agron Shehaj, Arlind Qori dhe Adriatik Lapaj, e refuzuan ftesën e Berishës për një front të përbashkët. Ndërkohë, në Tiranë vazhdojnë protestat e studentëve dhe qytetarëve, që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.