Mesazh nga Veliaj për socialistët e Tiranës: “A jemi ende ajo parti?”

Shqipëria

Mesazh nga Veliaj për socialistët e Tiranës: “A jemi ende ajo parti?”

Nga: A.M. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 09:23
Erion Veliaj

Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u është drejtuar me një mesazh socialistëve të Tiranës, në të cilin ka shprehur kritika ndaj mënyrës së drejtimit të Partisë Socialiste dhe disa prej drejtuesve të saj.

Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj ka kujtuar vitin 2015, kur sipas tij, së bashku me socialistët ndërtuan një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti.

Ai ka theksuar se fitoret politike, sipas tij, nuk erdhën nga bandat, krimi apo njerëzit e fortë, por nga puna dhe angazhimi i socialistëve dhe qytetarëve të Tiranës.

"Po a jemi ende ajo parti?", është pyetja që Veliaj u drejton socialistëve, duke shprehur pakënaqësi për atë që e konsideron ndryshim të frymës së organizimit partiak.

Në mesazhin e tij, ai ka kritikuar disa prej drejtuesve, të cilët i cilëson si "ministruca dhe drejtoruca", duke pretenduar se ata po marrin hapësira përmes privilegjeve, në vend që të fitojnë mbështetjen e qytetarëve.

Veliaj ka shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen socialistët që kanë kontribuar ndër vite në parti.

"Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve", ka shkruar ai.

Më tej, Veliaj ka theksuar se pavarësisht situatës në të cilën ndodhet, ai nuk heq dorë nga bindjet dhe përgjegjësia për atë që, sipas tij, kanë ndërtuar së bashku.

"Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!", ka qenë një tjetër nga mesazhet e tij.

Në fund, ai u ka bërë thirrje socialistëve të Tiranës që të ruajnë qytetarinë dhe kontributin e tyre politik, duke mos lejuar që historia e partisë të zëvendësohet nga ajo që e cilëson si pushtet të pamerituar.

Mesazhin e ka përmbyllur duke u identifikuar si "socialisti me duar të lidhura".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat