Kryeministri Edi Rama zhvillon disa inspektime në Fier

Shqipëria

Kryeministri Edi Rama zhvillon disa inspektime në Fier

Më: 9 prill 2017 Në ora: 12:21
Kryeministri Edi Rama në Fier

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa inspektime në qytetin e Fierit, ku po riknstruktohen disa rrugë, po rehabilitohet Parku Qëndror i Qytetit, po ndërtohet tregu i fruta perimeve, po pastrohen kanalet, kulluese, ujitëse e vaditëse dhe gjithashtu po bëhet restaurimi i Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Kryeministri Rama inspektoi rrugën “Dervish Hekali”

Fieri po rivitalizohet çdo ditë e më shumë përmes projekteve të Rilindjes Urbane. Rruga “Dervish Hekali” dhe parku pranë bar “Rinia” janë dy objektet në të cilat puna ka nisur prej pak muajsh dhe po ecën me shpejtësi drejt përfundimit.

Projekti me vlerë prej afro 144 milion lekësh do të shndërrojë infrastrukturën e amortizuar dhe të dëmtuar të rrugës dhe parkut, në infrastrukturë moderne të standardeve europiane, me mjedise çlodhëse, kreative, dhe argëtuese për të gjitha moshat.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, dhe Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi inspektuan punimet për këto dy vepra, përfitues të drejtpërdrejtë të së cilës do të jenë banorët e lagjes “29 nëntori”, “Konferenca e Pezës” dhe “Liri Gero”.

Rruga “Dervish Hekali” pozicionohet brenda Unazës së Vogël të qytetit të Fierit, dhe pjesë e projektit janë edhe rrugët dytësore që shtrihen brenda bllokut të banimit në lagjen ”Konferenca e Pezës” dhe rreth shkollës 9-vjeçare “Andon Xoxa”. Punimet që parashikohet të kryhen sipas projektit janë: riparimi i zonave të dëmtuara të rrugës dhe zgjerimi i saj; sistemimi dhe gjelbërimi; realizimi i korsisë së biçikletave me gjerësi 135 – 150cm; shtimi i posteve të parkimit në të dyja anët e rrugës; restaurimi i rreth 22 godinave duke përfshirë Prefekturën, Bashkinë e Fierit dhe Teatrin ”Bylis”; unifikimi i fasadave; shtimi i mobilimit urban, si dhe kontenierëve për mbetjet urbane; ndriçimi i zonës dhe rrjeti i kanalizimeve të ujërave të shiut.

Kryeministri Rama inspektoi punimet për rehabilitimin në Parkun Qëndror

Fieri do të ketë së shpejti Parkun Qëndror të tij, një mjedis modern polifunksional dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët e Fierit dhe njësive administrative të Bashkisë Fier. Ndërtimi i tij së bashku me rehabilitimin e rrugës “Xoxi Andoni” dhe hapësirave rreth saj është një tjetër projekt i Rilindjes Urbane, investim me vlerë rreth 300 milion lekë.

Projekti parashikon ndërtimin e një parku të madh urban, me gjelbërim, me zona rekreative për të gjitha grupmoshat, si dhe hapësira për artin dhe kulturën; unifikimin e fasadave në katet përdhe duke i dhënë përparësi zonës së biznesit; restaurimin e fasadave; rikthimin e elementëve karakteristike historike, kulturore të qytetit; shtimin e zonës së gjelbër; lirimin e hapësirave publike dhe sistemimin e infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore.

Ndërsa rehabilitimi i rrugës “Xoxi Andoni” parashikon punimet e shtresave rrugore, rrjetin e kanalizimeve të Ujërave të Bardha dhe Kanalizimet e Ujërave të Shiut, gjelbërimin dhe sinjalistikën vertikale dhe horizontale.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, dhe Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi ishte në terren për të inspektuar ecurinë e punimeve.

Kryeministri inpektoi punimet për rrugën “Ramiz Aranitasi”

Bulevardi “Ramiz Aranitasi” me gjatësi 700 metra është një nga arteriet kryesore të qytetit të Fierit që lidh sheshin “Fitorja” me sheshin “Pavarësia”. Ai është vazhdimësi e bulevardit “Jakov Xoxa” dhe shërben si rrugë lidhëse mes qendrës së qytetit, pjesës jugore të unazës së qytetit dhe rrugës jugore nacionale. Gjendja aktuale, e rrugës e cila është kufi ndarës i lagjeve “Kastrioti”, “16 Prilli”, “11 Janari” dhe “Kryengritja e Fierit”, le shumë për të dëshiruar, duke vështirësuar komunikimin e njerëzve dhe mjeteve.

Për këtë arsye kjo arterie e rëndësishme i është nënshtruar projektit rehabilitues, i cili do të mundësojë rikthimin e hapësirave të munguara publike dhe rikonceptimin e tyre, si dhe nxitjen dhe zhvillimin e biznesit dhe të gjitha aktiviteteve ekonomike e sociale të zonës.

Pikërisht për të inspektuar mbarëvajtjen e këtij projekti në terren ishte dhe Kryeministri Rama, i shoqëruar nga i shoqëruar nga Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni, dhe Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi.

Punimet që parashikohen në projekt përfshijnë: rikonstruksionin e trupit të rrugës, ruajtjen e kolektorit të rrugës si dhe linjës së furnizimit me ujë, kanalizimin e ujërave të shiut, ndriçimin, vendosjen e kontenierëve, gjelbërimin, restaurimin e fasadave dhe mobilimin urban, sinjalistikën, ndërtimin e nënshtresave rrugore. Në të dyja anët e rrugës ka një korsi parkimi dhe në të dyja anët e bulevardit ka trotuare me gjerësi të ndryshueshme.

Përmes këtij projekti do të shtohen korsitë e biçikletave me gjerësi rreth 1.5 m. Përgjatë bulevardit, në të dyja anët, ka 40 objekte dhe do të ndërhyhet në 23 prej tyre. Projekti parashikon restaurim dhe unifikim të fasadave, ku kati përdhes i të gjitha ndërtesave do të vishet me pllaka qeramike.

Kryeministri Rama inspektoi punimet për tregun e fruta-perimeve

Tregtimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale ka qenë një plagë e hapur në qytetin e Fierit, si për nga hapësira e mjerueshme, ashtu edhe kushtet jashtë çdo standardi të tregtimit të produkteve. Pas vitesh të tëra lënie në harresë, tregu i ri i qytetit pritet të ketë 102 tezga për fermerët e Fierit dhe zonave rreth tij, të cilët deri më parë kanë zaptuar trotuaret dhe hapësirat publike.

Tregu i tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale është një ndër investimet e rëndësishme jo vetëm për qytetin, por edhe për njësitë administrative të Fierit. Ky investim pritet të jetë një nxitje për ekonominë e qytetit, sikundër do të rrisë standardet e shërbimit ndaj qytetarëve në kushte cilësore. Projekti përfshin edhe rehabilitimin dhe rikualifikimin urban të hapësirës përreth tregut.

Kryeministri Rama inspektoi rikonstruksionin e shkollës “Dino Ismaili” Levan

Shkolla “Dino Ismaili” në Levan të Fierit është dëshmia e radhës sesi kantieret e Rilindjes në Arsim po transformojnë çdo shkollë, të lënë në dekada në rrënim. E ndërtuar në vitin 1965, për shkak të mungesës së mirëmbajtës minimale, shkolla ishte një godinë të mjerueshme, ku ishte bërë i vështirë zhvillimi i procesit arsimor ku vetëm dije nuk mund të jepej për 335 nxënësit e saj.

Shkolla tashmë përmbush standardet që meriton gjenerata e ardhshme, ku veç të tjerash përfshihet infrastruktura e përshtatshme për fëmijët me nevoja të veçanta.

Pas rikonstruksionit, shkolla përmbush edhe standardet për t’u kthyer në një qendër komunitare, e cila do t’i shërbejë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit si hapësirë e jetës sociale e kulturore, pas orarit mësimor.

Kryeministri Rama inspektoi punimet për pastrimin e kanaleve kulluese, ujitëse e vaditëse në kryqëzimet Havaleas-Pojan e Shën Pjetër

Pastrimi i kanaleve vaditëse dhe ujitëse mbetet një ndër angazhimet kryesore për Rilindjen e Bujqësisë. Pas mbi 25 vitesh të lëna në harresë, pastrimi i kanaleve vaditëse dhe kulluese në bashkinë e Fierit po ecën me ritme të shpejta.

Kryeministri Edi Rama ndoqi nga afër punimet në Pojan, zonë kjo pjesë e skemës ujitëse/kulluese në fushën e Hoxharës. Drejtuesja e punimeve në këtë zonë njohu kryeministrin me avancimin e punimeve deri në këtë fazë dhe theksoi se ekskavatorët e rinj  mundësuan rritjen e ritmeve të punës. “Deri në fund të 2016 për 4 kilometra nuk kapëm 100 kilometra. Ka shumë për të bërë sepse kanë vite pa bërë. Tani që erdhën mjetet e reja, brenda kësaj periudhe të shkurtër kemi bërë 1/3 e punës që kemi bërë tërë vitin vjet. Këtu ka qenë plot nuk dukej asgjë. Hapëm një vijë sa për të kulluar ujë. Do vazhdojë, që nga bregdeti, nga Derëzeza, është 8 kilometra i gjatë dhe kanë mbetur vetëm 1.6 kilometra pa bërë. Bashkohen dy kanale bashkë”, – u shpreh drejtuesja e punimeve.

Nga ky investim pritet të përfitojnë rreth 11 000 fermerë, fermat e të cilëve preken nga kanalet vaditëse/kulluese të cilat tashmë janë funksionale. Ndërkohë që drejtuesi i projektit të kësaj zone u shpreh se gjatë kësaj periudhe është bërë një pastrim i konsiderueshëm i llumit dhe mbetjeve të grumbulluara. “Pretendohet që këtë vit të ikin 8 milion metër kub në total.1/3 e 20 vjeçarit. Brenda 1 viti është një përmirësim goxha i dukshëm”, u shpreh drejtuesi ai.

Janë rreth 6800 ha në këtë zonë të cilat preken nga ky investim. Kryeministri Rama nga ana e tij vlerësoi ritmet e shpejta të punimeve duke thënë se, “E mira e kësaj pune është që pas këtij pastrimi me këto mjete, është thjeshtë çështje mirëmbajtjeje. U lanë 25 vjet pa u prekur me dorë”.

Kryeministri Rama inspektoi kantieret për restaurimin e Parkut Arkeologjik të Apolonisë

Parku arkeologjik i Apolonisë i shpallur monument kulture nga viti 1948 është një nga parqet më të frekuentuara nga turistët e huaj dhe ata shqiptarë, duke vazhduar ti rezistoje kohës dhe mungesës së mirëmbajtjes, si një ndër atraksionet turistike më të vizituara në vendin tonë.

Tashmë, në qendër të vëmendjes nga qeveria dhe nga Ministria e Kulturës, ky park arkeologjik do t’i nënshtrohet një restaurimi rrënjësor duke e bërë atë të denjë për vlerat historike që përfaqëson. Kryeministri,  ministrja e Kulturës Kumbaro dhe kryetari i bashkisë Fier, inspektuan punimet të cilat janë drejt fundit dhe pritet të sjellin një rritje të numrit të vizitorëve këtë vit. “E gjitha është restauruar. Projekti i plotë i rehabilitimit të të gjithë parkut të Apolonisë, një investim prej 750 mijë eurosh. Për të parën herë projekti është i plotë që nga masterplani deri tek sistemi inxhinierik, deri tek sistemi elektrik, sistemi i pompave të ujit e deri tek itineraret e turistëve. Përfshin kjo dhe restaurimin e kishës së Shën Mërisë, të Manastirit dhe Trapezarisë dhe të gjithë sistemin e portikëve të statujave dhe të muzeut. Jemi shumë afër inaugurimit, kështu që presim të ketë një “boom” vizitorësh këtë vit. Ende pa filluar  këto kemi trefishuar numrin e vizitorëve krahasuar me vitin  2013”, – u shpreh ministri i Kulturës, Kumbaro.

Ndërkohë prifti i kishës së këtij parku u shpreh gjithashtu se gjendja në të cilën kishte përfunduar kisha ishte e vështirë për shkak të lënies në harresë. Megjithatë tashmë ajo çka i ofrohet vizitorëve është komplet tjetër. “Këtu po bëj 20 vjet. Me këtë restaurimin e fundit mori jetë. Çfarë binte jashtë, binte brenda. Mori një restaurim total që e kishte të nevojshëm”, – tha prifti.

Kisha e ndërtuar rreth vitit 1220, është unike në Shqipëri për shkak të konfigurimit të pazakontë të saj në formën e kryqit të brendashkruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat