Rama: Meta zgjidhet President PS-LSI në zgjedhje do hyjmë veç

Shqipëria

Rama: Meta zgjidhet President PS-LSI në zgjedhje do hyjmë veç

Më: 28 prill 2017 Në ora: 07:18
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë kandidimin e kreut të LSI Ilir Meta për postin e kreut të shtetit.

Në studion e Top Story, Rama dha garanci të plota se sot Meta do zgjidhet President i Republikës. Kreu i qeverisë theksoi përmes batutës se zgjedhja e Metës favorizon edhe PD-në, duke shtuar se "do të vijnë ditë të bardha për PD". 

“Nesër Meta zgjidhet president i Republikes me konsensusin tone dhe LSI-së”, tha Rama. “Tani që Ilir Meta bëhet President do të vijnë ditë të bardha për PD-në dhe të zeza për mua”, tha Rama me ironi.

“Ilir Meta është Presidenti i duhur. Është i lindur për atë punë, pasi ai është me të gjithë dhe me askënd. Do ta shihni sa mire do të bëhet për PD-në Meta President”, tha Rama.

Sa i takon pretendimeve të Lulzim Bashës për qeveri teknike, Rama tha se karrigen e kryeministrit ia kanë dhënë votuesit dhe s'e ka marrë nga shtëpia. 

“Nëse karrigen do ta kisha marrë nga shtëpia, pra nëse do të ma kishte dhënë Aneta atëherë do ia jepja Lulit menjëherë. Mirëpo këtë karrige ma ka dhënë votuesi dhe është përgjegjësi”, tha Rama.

“Ne jemi partneritet strategjik dhe ky koalicion do vazhdojë, por do hyjmë në garë veç. Ne ishim në garë, dhe do kemi dhe gjatë fushatës. LSI ka ambicie të ndryshme, nganjëherë dhe të kundërta. Bukur fort. Unë e kam thënë se nuk është punë numrash. Është çështje e reformimit rrënjësor.”, tha Rama.

Rama fton PD: Ndryshojmë Kodin, regjistrohuni në zgjedhje
Kryeministri tha se është i keqardhur që PD nuk merr pjesë në zgjedhje, por siguroi se zgjedhjet do të zhvillohen edhe pa PD-në dhe se do të krijohet opozitë e re. 

Sipas tij, mazhoranca është gati të ndryshojë kodin zgjedhor për afatin, vetëm që PD të hyjë në zgjedhje. Dhe nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet do të vijojnë pa opozitën.

“Ne jemi gati dhe do ta ndryshojmë kodin nëse PD vendos të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Rama.

Kryeministri: PS e LSI të ndara në zgjedhje

Kryeministri Rama, ka thënë në “Top Story” se pas zgjedhjes së Metës President, PS dhe LSI do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe pse në zgjedhje do të shkojnë të ndara.

Kryeministri u shpreh i bindur se koalicioni me LSI-në do të vazhdojë edhe pas 18 qershorit, pavarësisht rezultatit, që dy partitë më të mëdha të mazhorancës aktuale do të kenë në zgjedhje, ku do të garojnë më vete.

“Do të hyjmë në garë veç, por nuk ka asnjë dilemë që ne do të kërkojmë të vazhdojmë me LSI-në në koalicion, pastaj vendimi i takon LSI-së”, thotë Rama.

Ky qëndrim i kryeministrit vjen pas djegies së afateve nga partitë politike për t'u regjistruar si koalicione në KQZ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat