Biznesmenët nga Fieri shpallen në kërkim, të dyshuar për pastrim parash

Shqipëria

Biznesmenët nga Fieri shpallen në kërkim, të dyshuar për pastrim parash

Më: 3 qershor 2018 Në ora: 10:46
Policia e Fierit

Policia e Fierit ka shpallur në kërkim dy vëllezër biznesmenë, të cilët janë të dyshuar për pastrim parash, ndërsa është arrestuar pronari i një “Exchange” i cili dyshohet se i ndihmonte ata në këtë veprimtari të paligjshme. 

Ata ishin në hetim prej gati dy vitesh, pasi dyshoheshin se paratë vinin si rrjedhojë e veprimtarive kriminale. Sipas të dhënave të Policisë, dje u arrestua shtetasi Xhevair Troka, 52-vjeç banues në Fier. Ndaj tij ishte caktuar më herët masa e “arrestit me burg” për akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ndërsa dy vëllezërit biznesmenë të shpallur në kërkim janë shtetasit Vladimir Çilotaj 50 vjeç, banues në Patos dhe Shpëtim Çilotaj 44 vjeç, banues në Durrës. Në kuadër të këtij procedimi, po ndiqet në gjendje të lirë edhe vëllai i tyre Agur Çilotaj si dhe mbesa me profesion ekonomiste.

Ndërkohë, Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestro preventive të pasurive të vëllezërve Çilotaj. Pjesë e pasurive që janë sekuestruar janë kryesisht toka, por edhe kompania “Çilotaj LTD” për prodhime hekuri në Fier, e cila është në pronësi të Shpëtim dhe Vladimir Çilotaj. Për këta shtetas, sipas të dhënave, Gjykata ka caktuar në mungesë masën “Arrest me burg” dhe “Ndalim të përkohshëm për të ushtruar veprimtari të caktuar profesionale ose afariste”. Sipas hetimit, Xhevair Troka kishte një pikë Exchange në Fier dhe përdorte biznesin e tij për të pastruar para bashkë me persona të tjerë. Burime nga Prokuroria e Fierit bëjnë me dije se nëpërmjet kryerjes së transaksioneve bëhej e mundur pastrimi i parave të pista, burimi i të cilave dyshohet se ka ardhur nga aktiviteti kriminal.

Xhevahir Troka ka pasur rolin e personit që kryente këto transaksione në bashkëpunim edhe me Vladimir Çilotaj, Shpëtim Çilotaj, Agur Çilotaj dhe Jonida Çilotaj, kjo e fundit ekonomiste. Mësohet se Prokuroria e Fierit e ka mbajtur në përgjim këtë grup prej rreth dy vitesh, ku ata kanë kryer transaksione të shumta përgjatë kësaj periudhe kohore. Dyshohet se vëllezërit Shpëtim dhe Vladimir Çilotaj i kanë shpë- tuar arrestimit, pasi mund të jenë informuar, prandaj, pritet të nisin hetimet edhe për dekonspirim të operacionit. Prokuroria e Fierit thotë se po vijon hetimet për të zbuluar edhe personat e tjerë që ishin të përfshirë në rrjetin e pastrimit të parave. Akuza që është ngritur ndaj Xhevahir Trokës dhe 4 personave të tjerë është ajo e “pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Dje, Policia ka shkuar për të kryer arrestimin e dy vëllezërve, për të cilët ishte firmosur masa e arrestit nga gjykata, por ata nuk janë gjetur në banesë. Për këtë shkak janë hedhur dyshime të forta se ata janë sinjalizuar më parë që të largoheshin. Vladimir Çilotaj ka në zotërim restorante dhe lokale në Fier dhe Tiranë si dhe ferma, por dhe kompaninë “Çilotaj”.

MAGAZINA E ÇILOTAJ U DYSHUA SI LABORATOR DROGE

Pak javë më parë, një laborator, që dyshohet se do të përshtatej për kultivimin e bimëve narkotike, është zbuluar nga Policia në Mbrostar të Fierit. Sipas Policisë, laboratori ishte ndërtuar në një magazinë që rezulton në pronësi të biznesmenit Vladimir Çilotaj (Shpërdheja) nga Patosi. Brenda objektit, me një sipërfaqe prej 480 metrash katrorë, ishte montuar laboratori me një sipërfaqe prej rreth 300 metrash katrorë. Policia bëri të ditur asokohe se brenda ndodhej një laborator modern i pajisur me sistem ajrimi si dhe prozhektorë, që dyshohet se do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Më pas, nuk pati të dhëna se si u procedua me çështjen, ndonëse familjarët e biznesmenit deklaruan se ambienti ishte një fabrikë për përpunimin e ushqimit të një pularie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat