Në “ruletën” Presidencë-Qeveri

Shqipëria

Në “ruletën” Presidencë-Qeveri

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 16:32
Edi Rama dhe Ilir Meta

Fitimet marramendëse të kompanive të lojërave të fatit që kapin shumën e 132 milionë eurove në vit dhe përplasjet politike. Pas mosdekretimit të ligjit nga presidenti Ilir Meta, dje reagoi Ministria e Financave që rrëzon pretendimet e kreut të shtetit.

Biznesi i lojërave të fatit po njeh trend pozitiv në ekonominë e varfër të vendit, kjo e treguar edhe në shifra “mbresëlënëse” ku nga aktiviteti i lotove sportive, kazinove, basteve dhe lotarive janë përfituar rreth 132 milionë euro për vitin 2017. Pritet që kjo shifër të jetë edhe më e lartë për vitin 2018, kur për një muaj ishte edhe Kampionati Botëror i Futbollit, që njohu rritje të basteve sportive. Teksa biznesi i lojërave të fatit kënaqet me fitimet marramendëse, politika është futur keqas në përplasje. Presidenti Ilir Meta dy ditë më parë refuzoi dekretimin e ligjit për lojërat e fatit, duke e kthyer atë për rishqyrtim në parlament. Sipas kreut të shtetit, ligji i paraqitur favorizon subjektet e lojërave të fatit dhe nuk zgjidh problemin e madh edhe social. “Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të paargumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjellë uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojërave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative”-thuhet në një nga pikat kryesore të përgjigjes së Metës kundër dekretimit të këtij ligji. Më tej presidenca argumenton se “miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave socialë të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojërave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cenojnë familjen shqiptare”.

Reagimi i ministrisë

Ndonëse ligji tashmë është kthyer për rishqyrtim në parlament, qeveria ka paralajmëruar se ai do kalojë sërish me forcën e kartonit. Reagimi i parë ka ardhur dje nga Ministria e Financave që sipas saj nuk ka asnjë ndryshim për lojërat e fatit. “Nuk ka asnjë ndryshim në ligjin “Për lojërat e fatit” dhe asnjë relaksim sa i përket taksimit të tyre, por vetëm njehsim të aplikimit”- reagoi ministria. Sipas saj dekreti i presidentit ka një gabim referencial. “Zoti Meta i referohet nenit 6 të ligjit, si neni që ul taksat për kumarin. Por pika që prek regjimin tatimor të bixhozit është neni 5, i cili thotë: “Tatimi mbi lojërat e fatit aplikohet 15% mbi të ardhurat bruto. E ardhura bruto diferenca midis shumës së luajtur nga lojtarët dhe shumës së fituar prej tyre”-argumentojnë financat. Sipas saj, prej tre vitesh, tatimi mbi kompanitë e kumarit është 15 për qind e të ardhurës bruto, dhe po prej tri vitesh e ardhura bruto është përcaktuar te ligji i lojërave të fatit si diferencë mes shumës së luajtur nga lojtarët dhe fitimeve që kompania u shpërndan atyre. Në analizën që Ministria e Financave kundërshton kreun e shtetit thuhet se i vetmi ndryshim që sjell ligji i ri është se fut në të njëjtën skemë taksimi edhe lotarinë kombëtare, duke e taksuar atë njësoj si bastet, kazinotë dhe llojet e tjera të kumarit. Përveç përplasjeve “teknike” me ligje e shifra, konflikti Presidencë-Qeveri duket se sapo ka nisur. Kthimi nga Presidenti Ilir Meta i ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar solli debate të forta politike. Ende pa u shuar jehona e teatrit, Meta rikthen për shqyrtim në Parlament ligjin për lojërat e fatit. Nuk dihet nëse parlamenti në nisje të sesionit të dytë parlamentar do të marrë në konsideratë sugjerimet e presidencës, por gjasat janë që ligji të miratohet sikurse është paraqitur nga Ministria e Financave dhe kaluar në Parlament vetëm me votat e mazhorancës.

Fati i lojërave…

Në mandatin e parë të qeverisë Rama, në vitin 2013 nisi operacioni i madh “Fundi i Marrëzisë” ndaj lojërave të fatit, një pjesë e mirë të palicencuara që kryenin evazion të madh fiskal u mendua se do vihej në shina ky lloj biznesi, por ka ndodhur e kundërta. Me aksionin e të sapoardhurve në qeveri, pati angazhim të madh për të vënë nën kontroll lojërat e fatit, kjo edhe nga një “fiksim” i kryeministrit Edi Rama që gjatë fushatës elektorale e kishte prekur fenomenin e lojërave të fatit dhe impaktin shumë negativ që kishte në aspektin social. U premtua që brenda tri viteve të para i gjithë biznesi i lojërave të fatit do të zhvendosej në periferi, si një nga mënyrat për të larguar qytetarët nga veset dhe veçanërisht nga adoleshentët që lotot sportive, kazinotë dhe bingot, që i kishin fare pranë banesave. Kohët shkanë dhe ishte po qeveria që e shtyu afatin e zhvendosjes së lojërave të fatit me të paktën pesë vite të tjera dhe gjasat janë që të rishtyhen, duke marrë në konsideratë biznesin dhe të ardhurat marramendase të fitimit dhe qarkullimit të miliona eurove brenda një viti. Në një shkrim dhe analizë të thelluar të Revistës “Monitor”, theksohet se vetëm për vitin 2017 fitimi nga lojërat e fatit ishte në nivelin e 132 milionë eurove. “Biznesi më i madh është te kazinotë. Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj. Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 78 milionë euro. Kazinoja elektronike më e madhe në vend APEX – AL, e ndjekur nga ADRIATIK GAME, ASTRA ALBANIA Sh.a. Rritja e qarkullimit vjetor për kazinotë ka qenë minimale në 2017-n”-thuhet në analizën e Monitor. Gjithashtu konstatohet se kompanitë e basteve sportive kanë parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në 2017-n, ndonëse një vit i zakonshëm pa kampionate botërore apo europiane, i ndikuar nga shtimi i pikave nëpër qendrat e qyteteve. Për Top Start, Lotto Sport, ITSGA, rritja vjetore ka qenë afër 20%. Në total, shpenzimet për loto ishin 5.8 miliardë lekë, ose rreth 48 milionë euro në vitin 2017. Për lotaritë dhe bingot, shpenzimet janë më të ulëtat, në rreth 5 milionë euro. Nga përllogaritjet rezulton se kompanitë marrin 30-50% të të ardhurave si fitime dhe rezultojnë si sektori më fitimprurës në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat