Maqedonia e Veriut, Shqipëria përgëzon votimin e nismës - Bota Sot
Maqedonia e Veriut, Shqipëria përgëzon votimin e nismës

Shqipëria

E hënë, 19 nëntor 2018

Maqedonia e Veriut, Shqipëria përgëzon votimin e nismës

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 14:25
Ilustrim

Politika shqiptare ka reaguar njëzëri për zhvillimet e fundit në Maqedoninë fqinje, e cila mbrëmjen e së premtes i hapi rrugën ndryshimit të emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, pas miratimit në Kuvend të nismës për ndryshime kushtetuese me 80 vota pro.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati zgjodhi një shprehje të Nelson Mandelës për të përshëndetur votimin në Parlamentin e Maqedonisë për çështjen e emrit.

“Mandela thoshte ‘Gjithmonë të duket e pamundur diçka, derisa të realizohet’. Votimi në Parlamentin maqedonas për ndryshimet kushtetuese është një hap i madh drejt zbatimit të marrëveshjes së Prespës. Një demonstrim i qartë i bashkëpunimit politik, që hap rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”, shkruan në Twitter kryediplomati shqiptar Bushati, i cili uron homologun e tij Nikola Dimitrov, por edhe zv.kryeministrin shqiptar Bujar Osmani.

“Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë Veriore. Urime të përzemërta kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë atyre që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap sot për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë Veriore”, shkroi një ditë më parë kryeministri Rama në Twitter, duke u bërë i pari zyrtar shqiptar që përshëndeti votimin, transmeton tch.

Ndërkohë, arritja e qeverisë së Zaevit u përshëndet edhe nga presidenti Ilir Meta.

“Votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap i rëndësishëm shprese e besimi, se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE është në rrugën e duhur. E përgëzoj qeverinë e kryeministrit Zaev për përpjekjet e vendosura në këtë drejtim dhe të gjithë ligjvënësit e Kuvendit të Maqedonisë për mbështetjen e një procesi, që jo vetëm çliron Maqedoninë nga një ngërç integrimi disavjeçar, por ndikon edhe në sigurinë, stabilitetin e mirëqenien e rajonit tonë”, shkruan Meta në Facebook.

I fundit që ka reaguar është kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, duke e përshëndetur edhe ai votimin e Kuvendit të Maqedonisë.

“Mbrëmë, Parlamenti i Maqedonisë i hapi rrugën ndryshimeve kushtetuese, që mundësojnë anëtarësimin e saj në NATO. Përzemërsisht përshëndes këtë hap dhe ndryshimet e pritshme kushtetuese, proces që do të na bashkojë edhe si aleatë rreth vlerave të përbashkëta euroatlantike”, shkruan Basha në rrjetet sociale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test