Njerëzit, ndërkohë, perceptojnë se shumë subjekte të drejtësisë kanë përfituar nga profesioni i tyre dhe kanë krijuar pasuri të paligjshme.
A mjafton që këta njerëz të nxirren nga sistemi i drejtësisë dhe kaq, apo do të ketë një proces të dytë që do të merret me ta ligjërisht për pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme? Çfarë pritet të ndodhë me këta njerëz?
Këtyre pyetjeve iu përgjigj mes shumë të tjerave, e ftuara Erida Skëndaj, kryetare e Komisionit të Helsinkit, në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja.
“Vettingu është përgjegjësi administrative, por kjo nuk e përjashton detyrimin që ka shteti me anë të organit të Prokurorisë që të hetojë penalisht, sepse nëse ka vepër penale, atëherë duhet të hetohet. Prokuroria heton me nismën e saj kur shikon ato të dhëna tronditëse për një pjesë të këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, për një pasuri goxha marramendëse të vendosur jo vetëm gjatë karrierës së tyre si gjyqtarë e prokurorë; por heton edhe me kallëzim penal të organeve që po bëjnë procesin administrativ”, tha Skëndaj.
Por, a do t’i ketë objekt hetimi këta persona SPAK-u?
“Deri para disa muajsh na rezulton vetëm një çështje e dërguar nga organet e vettingut në Prokurori, për një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që gjatë hetimit administrativ i dolën probleme të përgjegjësisë penale, dhe për këtë person u vendos mosfillimi i procesit penal. Për të gjithë subjektet e tjera që ne kemi parë në media sa i takon pasurisë tejet të lartë, nuk kemi asnjë informacion nëse ka filluar apo jo paralelisht hetimi penal nga organi i Akuzës. Ndaj mendoj se krijimi i SPAK-ut do të kontribuojë në këtë proces, sepse Prokuroria nuk është një institucion që vihet në lëvizje vetëm me kallëzim. Kur ka vepra të rënda duhet të vihet në lëvizje automatikisht”, tha Skëndaj.