Schmieder: Kosova kampion i fshehtë për investime në sektorin e IT-së

Teknologji

Schmieder: Kosova kampion i fshehtë për investime në sektorin e IT-së

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 22:59
Paul Schmieder

Paul Schmieder, menaxher i zyrës për Kosovë i Borek Solutions, kompani kjo e cila ka investuar në Kosovë në sektorin e IT-së, tha se Kosova është një kampion i fshehtë për investime në këtë sektor.

“Si biznes kërkojmë kampionë të fshehtë te partnerët ku shkojmë. Kemi edhe një zyrë në Indi po ashtu dhe përveç kompanive të ndryshme që kemi atje, kemi zgjedhur qytete më të vogla ku ka më pak garë, por ka mjaftë njerëz të arsimuar dhe motivuar dhe kjo është arsyeja përse kemi ardhur edhe në Kosovë. Ne e shohim si kampion të fshehtë në rajonin e Ballkanit, madje edhe në pasqyrën më të gjerë të Europës dhe përveç ngrohtësisë dhe mirëpritjes së njerëzve nga Kosova, pa nga partnerët e tretë. Pra janë disa arsye por do t’i theksoja rininë e Kosovës dhe partnerët lokalë të cilët na kanë ndihmuar dhe bindur që të marrim këtë hap dhe të nisim me investim në Kosovë”, tha Schmieder në Rubikon.

Schmieder theksoi se janë të kënaqur me vendimin që të investojnë në Kosovë, duke shtuar se zyra e Borek Solutions në vend tashmë ka mbi 50 pozita të hapura.

“Udhëtimi i parë në Kosovë ka qenë në nëntor në vitin 2021, vetëm gjysmë dite e kemi kaluar në Kosovë, pastaj kemi shkuar në Shkup, e para saj në Beograd, Novisad, Nish, pra në qytete  të tjera të Ballkanit. Jam i lumtur me zhvillimet, punëtori i parë filluar në mars-prill, kemi hyrë në zyrë në qershor – korrik, kemi një ekip prej 20 njerëzve tash dhe më shumë se 50 pozita të hapura dhe jemi të lumtur me zhvillimet dhe mezi presim të ardhmen”, tha Schmieder.

Schmieder shtoi se pavarësisht suksesit që kompania e tyre ka shënuar në Kosovë, ka ende hapësirë për përmirësime.

“Mendoj se situata gjithmonë duhet të përmirësohet, por e njëjta vlen për shumë vende, mbase arsimimi është një prej faktorëve kyç për një ekonomi solide, ka pastaj hapësirë për përmirësim. Sidoqoftë baza është e mirë dhe kemi marrë aplikacione të mira prej njerëzve dhe nëse punojmë së bashku me kompanitë dhe në anën tjetër institucionet publike, me siguri mund të përmirësohemi edhe më shumë”, tha Schmieder.

Ky emision është mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat